Këshilli për Mbrojtjen e të drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka kërkuar që kërkesat e policëve elitarë për shtesat e rrezikshmërinë të plotësohen.
Ky Këshill ka reaguar pas protestës së Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) të Policisë së Kosovës si dhe paralajmërimit për protestë edhe të Njësisë Speciale Operative.
Sipas KMDLNJ-së nuk ka asnjë logjikë që ky segment i pazëvendësueshëm që garanton ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e shtetit të mos ketë sigurime shëndetësore dhe jetësore në kohën kur siç thuhet, 24 orë i ekspozohen rrezikut për jetë.
“KMDLNJ edhe më parë ka reaguar duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të përmbushin këto kërkesa në mënyrë që ta ruajnë dhe forcojnë edhe më shumë profesionalizmin e Policisë së Kosovës që është njëra ndër shtyllat kryesore për ruajtje të sigurisë dhe funksionimit të shtetit. Në të gjitha rastet kur Kosovës po i cenohet integriteti territorial, që të gjithë po shprehemi krenarë me Policinë tonë, prandaj dhe ka ardhur koha që këtë ‘krenarinë’ ta përkthejmë në përkrahje reale për Policinë e Kosovës dhe të mos mbetet retorikë politike për manipulim”, thuhet në reagim.
Me këtë protestë sipas tyre, krejtësisht të drejtë, “policët protestues nuk kërkojnë asgjë më shumë se realizimin e të drejtave të tyre ligjore dhe njerëzore që iu takojnë me ligjet në fuqi dhe dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.