Ministria e Shëndetësisë do të hapë tender muajin e ardhshëm për vazhdimin e punëve në Klinikën Emergjente. Ndërtimi i këtij objekti ka nisur në vitin 2016. Kompania, që kishte fituar tenderin i kreu punët e vrazhda, mori rreth 4 milionë nga 8 milionë euro sa ishte kontrata dhe u tërhoq. Shtatë vjet me vonë, Ministria e Shëndetësisë planifikon që të paguajë edhe 16 milionë euro të tjera për përfundimin e objektit, që fillimisht mendohej të ndërtohej me 8 milionë. Për momentin objekti i papërfunduar është kthyer në vend ku SHSKUK-ja i hedh mbeturinat
Gati 7 vjet prej kur është vendosur gurthemeli i Klinikës Emergjente, këtë vit do të tentohet përfundimi i saj.
Tenderi për ndërtimin e kësaj klinike ishte dhënë në vitin 2016. Asokohe planifikohej që i gjithë objekti të përfundonte me 8 milionë euro.
Kompania që e kishte fituar tenderin, punën për ndërtim e nisi në korrikun e vitit 2016. Mori më shumë se gjysmën e parave. Përfundoi një pjesë të punimeve të vrazhda dhe u tërhoq.
Prej atëherë ky objekt ka mbetur i paprekur.
Një vend për mbajtjen e mbeturinave është shndërruar objekti i Emergjencës, për të cilin në vitit 2016 ishte premtuar që do të bëhej institucion modern. Ministria e Shëndetësisë është pyetur se si planifikojnë ta vazhdojnë këtë projekt, por ata nuk janë përgjigjur që tri ditë.
Këtë vit do të hapet tender për përfundimin e ndërtimit të këtij objekti.
Javën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar në e-prokurim njoftimin paraprak për hapjen e tenderit. Ky institucion planifikon që këtë objekt ta përfundojë me rreth 16 milionë apo gati dyfish më shumë se tenderin e vitit 2016, pa i llogaritur paratë e shpenzuara deri tani.
Sipas njoftimit paraprak, hapja e tenderit do të bëhet më 20 mars.
Ministria e Shëndetësisë është pyetur po ashtu se kush e ka bërë projektimin në vitin 2016 dhe kush po e bën tani dhe si arsyetohet një dallim kaq i madh, por nuk është përgjigjur.
Ky institucion nuk është përgjigjur as për shumën sa ia ka paguar kompanisë fituese, megjithatë KOHA ka mësuar që kësaj kompanie i janë paguar 4 milionë e 300 mijë euro. Klinika duhej të përfundonte në shtatorin e vitit 2019, por dy muaj para se të kalonte ky afat, kompania ishte tërhequr.
Ndonëse është tërhequr vetë nga projekti, Ministria e Shëndetësisë nuk ia ka sekuestruar 10-përqindëshin e vlerës së tenderit siç parashihet me ligj kur kompania nuk e përfundon punën për të cilën ka lidhur kontratë. Në këtë rast i bie që vlera e cila do të duhej të sekuestrohej të ishte rreth 800 mijë euro.
Gurthemeli për Klinikën Emergjente është vendosur në korrik të vitit 2016. Në ceremoni asokohe kishte marrë pjesë edhe ish-kryeministri Isa Mustafa. Ndërtimi i kësaj klinike premtohej që do të bëhej në afat rekord e që në realitet u kthye në objekt fantazmë e problematik për shkak të keqplanifikimit në inicimin e projektit.