Avokatja Rina Kika ka thënë se shumë vajza e gra nuk e raportojnë dhunën ndaj tyre në familje derisa të binden se mund të vriten.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Kika ka thënë se në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, që dyshohet të jetë porositur nga burri i saj, Naim Murseli, nuk dihet nëse ka pasur dhunë paraprakisht.
“Shumë prej vajzave dhe grave nuk i raportojnë rastet e dhunës në familje në polici apo në instanca të tjera të shtetit. Nuk i raportojnë derisa të binden se mund të vritet një person. Nuk e di në rastin e Liridonës nëse ka pasur dhunë paraprakisht. Shumë prej grave në momentin kur e kuptojnë se mund t’i vrasin, atëherë e raportojnë dhunën”, ka thënë ajo.
Sipas Kikës, kur vrasjet ndodhin në një raport intim, shumica prej tyre janë raste të femicidit.
“Femicidi nuk determinohet në bazë të motivimit subjektiv që ka pasur kryerësi i veprës penale, mirëpo nëse i shkojmë standaredet e të drejtave të njeriut që përcaktohen nga organet e ndryshme të OKB-së, femicidin e përcaktojnë disa faktorë të ndryshëm”, është shprehur ajo.
Kika: Detyrimi i shtetit për mbrojtje të viktimave të dhunës, shumë më i madh se fakti se a është penduar apo jo
Avokatja Rina Kika ka thënë se shteti e ka për obligim mbrojtjen e grave ndaj dhunës, pavarësisht se a është penduar viktima apo jo.
Kika ka thënë se me obligimet që shteti ka bazuar në Konventën e Stambollit, edhe nëse viktima tërhiqet nga denoncimi, Gjykata duhet ta trajtojë rastin me provat që i ka.
“Me konventën e Stambollit, nuk ka lidhje se a tërhiqet viktima prej denoncimit, gjykata duhet t’i trajtojë provat e rastit dhe mund ta konsiderojë si rrethanë lehtësuese nëse viktima ia ka falur kryerësit dhunën që e ka përjetuar. Gjykata nuk mund të vendosë në bazë të asaj që viktima është tërhequr nga denoncimi. Shteti e ka për obligim pozitiv mbrojtjen e grave prej dhunës. Edhe po të tërhiqet viktima, shteti e ka detyrim ta bëjë vlerësimin e rrezikut në bazë të provave që i ka në dispozicion. Nuk ka rëndësi se a tërhiqet viktima, sepse detyrimi i shtetit për ta mbrojtur atë është shumë më i madh sesa çfarëdo çështje aty se a është penduar viktima a jo”, ka theksuar ajo.
Ajo më tej ka thënë se ekziston një dallim midis tërheqjes nga procedura penale dhe faljes ndaj kryerësit të veprës.