Për ta denoncuar vrasjen e Liridona Ademajt, në Prishtinë dhe në Tiranë u zhvilluan disa aksione simbolike. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Kritik ka paralajmëruar për të martën edhe një protestë gjithëpopullore. Sipas kësaj organizate, gratë nuk janë të sigurta në shtëpitë e tyre. E vetëm gjatë së dielës, janë raportuar tetë raste për dhunë në familje, ku pesë nga to janë për ushtrim të dhunës fizike ndaj grave
Aktivistet e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Kritik kanë bërë thirrje që vrasja ndaj grave të trajtohet si urgjencë kombëtare, të dielën, pak para nisjes së seancës gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt.
Përmes një aksioni simbolik para Gjykatës Themelore në Prishtinë, aktivistet paralajmëruan protestë për të martën në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet me moton “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.
“Vetëm këtë javë dëgjuam se një burrë përdhunoi një të mitur në Gjakovë, një burrë tjetër përdhunoi një të mitur në Pejë, e një burrë pagoi vrasjen e bashkëshortes së vet në Prishtinë. Dhuna e zgjinizuar ndaj vajzave dhe femicidi nuk janë incidente të izoluara, apo simptoma të problemeve psikologjike të kryerësve të këtyre krimeve. Ato janë simptoma të patriarkalizmit i cili vazhdon ta sundojë familjen e shtetin”, ka thënë Trina Binaku, nga kjo organizatë.
Për këtë rast, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë.
Për të denoncuar vrasjen e cila dyshohet se është porositur nga bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, disa qytetarë kanë protestuar edhe para Ambasadës së Kosovës në Tiranë.
“Ndal femicidit”, “denonco dhunën”, “drejtësi për Liridonën”, ishin disa nga thirrjet e qytetarëve protestues, ku prezent ishte edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi.
“Është një rast që e ka tronditur Kosovën. Protesta juaj është përkrahje dhe jam mirënjohës. Thirrjet tuaja që kërkojnë drejtësi për Liridonën dhe çdo grua kur shkelet ligji, janë me vend”, ka thënë ambasadori Durmishi.
Sipas Kolektivit për Mendim dhe Veprim Kritik, gratë nuk janë të sigurta në shtëpitë e tyre.
E në raportin 24-orësh të Policisë, të dielën, janë raportuar tetë raste për dhunë në familje. Pesë nga to janë për ushtrim të dhunës fizike ndaj grave nga bashkëshortët e tyre.
“Nuk janë raste të vetme, ne besojmë që ka shumë raste të tjera për të cilat fatkeqësisht ne nuk i dimë për shkak se ende shteti nuk ka arrit të depërtojë në secilën shtëpi tonën, kur them me depërtuar është që me u ofruar shërbime të tilla parandaluese, me ofruar shërbime kur edhe i parandalon por edhe i kap dhunuesit e vrasësit e grave të potencial”, ka thënë aktivistja Fjolla Muçaj.
Për shkak të rasteve të dhunës ndaj grave, para një jave është hapur fushata “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”.