Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KGJK shpenzon dyfish më shumë se planifikimi

I kishin planifikuar mbi 150 mijë euro për shpenzime zyrtare, por nuk iu kanë mjaftuar. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shpenzuar saktësisht 308,532 euro në vitin 2016, raporton KTV.

Sipas raportit të auditimit për këtë institucion, shumica e këtyre udhëtimeve kanë qenë në Shqipëri, e për shumë prej tyre nuk dihen agjendat. “Nga këto mjete, janë realizuar 91 udhëtime jashtë vendit. Shumica prej tyre në Shqipëri, 38 në Tiranë dhe 20 në Durrës.

Nga auditimi i pesë (5) mostrave për udhëtime në vlerë 64,177€, kemi vërejtur se përveç shpenzimeve të udhëtimit prej 21,630€, për të cilat ekzistonin agjendat e udhëtimeve, të tjerat ishin bërë pa agjenda si dhe mbyllja e avansit nuk është bërë brenda afatit të paraparë prej 15 ditësh, siç parasheh neni 8 i udhëzimit administrativ 2004”.

Gjithashtu, edhe në këtë institucion, një prej parregullsive është edhe funksionimi me Ushtrues Detyre në pozita të larta, në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu edhe një vendim i KGJK-së është vlerësuar në kundërshtim me Ligjin e Punës.

Bëhet fjalë për vendimin për kompensimin e gjyqtarëve për punë jashtë orarit, kujdestari, në fundjava e gjatë festave zyrtare, që parasheh kompensimin në vlerë prej 20 eurosh.