Arbëri

KGJK-ja e sheh të pamundur funksionalizimin e Gjykatës Komerciale sivjet – shkak buxheti

Ditën kur Kuvendi i Kosovës i hapi rrugën krijimit të Gjykatës Komerciale, Këshilli Gjyqësor i Kosovës paralajmëroi së ky institucion nuk do të mund të funksionalizohet në vitin 2022.

Në seancën e Kuvendit, e edhe pas saj, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë folur për suksesin e miratimit të këtij projektligji.

“Ky projektligj është i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe tutje që nga viti 2012 ka qenë simbol i reformimit të gjyqësorit, kur ndër të tjerash, Gjykata Ekonomike është shndërruar në Departamentin për Çështje Ekonomike brenda Gjykatës Themelore”, ka thënë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në shpalosjen e projektligjit.

Nëpërmjet rrjeteve sociale, për suksesin e miratimit të këtij ligji u deklaruan edhe kryeministri Albin Kurti e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Por pikërisht të premten, Këshilli Gjyqësor i Kosovë në takimin e rregullt ngriti shqetësimin për nënbuxhetim, gjë që, sipas kryesuesit Albert Zogaj, e bën të pamundur fillimin e punës së kësaj gjykate.

Këtë çështje fillimisht e adresoi drejtori i Financave, Vehbi Behluli.

“Me ligjin e buxhetit janë lejuar vetëm 94 pozita shtesë, prej tyre 44 pozita janë për Gjykatë Komerciale dhe 50 pozita për bashkëpunëtorë profesionalë. Do të thotë 223 pozita nuk janë aprovuar prej asaj që kemi kërkuar. Me kërkesën e dytë buxhetore kemi kërkuar që 267 pozita të lejohen për vitin 2022, mirëpo nuk janë aprovuar”, ka thënë ai.

E pas kësaj deklarate, kryesuesi Zogaj ka thënë që prej sot dihet që me buxhetin sa i është ndarë, nuk ka mundësi që Gjykata Komerciale të fillojë punën.

“Është me rëndësi që edhe publiku me kuptu që me buxhetin e vitit 2022 dhe pozitat e lejume, Këshilli qysh sot e bën të njohur që Gjykata Komerciale nuk ka mundësi me u funksionalizu. Me këtë buxhet nuk është përmbush as parashikimi që e ka bë vet MD-ja sepse me prashikim që e ka bë MD-ja do të duhej që të kishim 94 pozita të lejume ndërsa na kemi 44”, ka thënë ai.

Për këtë çështje KOHA ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës se pse është nënfinancuar KGJK-ja për themelimin e kësaj gjykate, por ata nuk janë përgjigjur.

Gjykata Komerciale ka funksionuar edhe më herët në Kosovë, deri më 1 janar të vitit 2013.

Atëkohë ishte rekomanduar që të kalohet në sistemin aktual të gjyqësorit dhe të ketë një departament të specializuar për çështje ekonomike brenda Gjykatës Themelore në Prishtinë.