Teksa Këshilli Gjyqësor i Kosovës po e sheh si paragjykim nga Qeveria të nevojës për proces të vetingut në sistemin e drejtësisë, Ministria e Drejtësisë është duke insistuar se e ka përkrahjen e Bashkimit Evropian për iniciativën e saj.
Në emisionin “Desku” në KTV, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, ka thënë se ka nevojë që në gjyqësor të ketë adresim të disa çështjeve, por sipas tij kjo duhet të bëhet me mekanizma të brendshëm.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se vetingu duhet të bëhet nga jashtë.
“Çfarë kredenciale ka qeveria për të paragjykuar komplet nevojën e vetingut në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Zogaj teksa ka shtuar se “Çështja e vetingut, gjyqësorit e pavarësia e tij s’mund të shndërrohet në kauzë për shkak të një premtimi elektoral e të shndërrohet në koncept e ndryshime kushtetuese”.
Ai ka argumentuar qëndrimin e KGJK-së kundër vetingut edhe me Raportin e Progresit që e ka parë si shqetësim iniciativën e Qeverisë për veting.
Megjithatë, Sallahu ka thënë se BE-ja e përkrah Qeverinë e Kosovës për veting. Sipas tij, “opinionet për Raportin e Progresit janë dorëzuar qysh në qershor, kur ka qenë drafti fillestar i koncept-dokumentit për vetingun”.
Edhe
Zogaj: Procesi i vetingut vlerësoj se do të jetë i pamundshëm e edhe i panevojshëm
“S’ka një javë që jemi takuar. Këto qëndrime i kemi marrë nga ta. Kanë kërkuar edhe më shumë veting”, ka thënë ai.
Deklarimet e Sallahut, Zogaj i ka parë si përpjekje për të relativizuar Raportin e Progresit.
Të mërkurën, BE-ja konfirmoi për KOHËN se qëndrimi i saj mbetet ai që është shprehur në Raport të Progresit.