E pa definuar është kohëzgjatja e barrikadimit të rrugëve drejt Jarinjës e Bërnjakut.
Rrugët që shpien në këto dy pika kufitare me Serbinë, për të ditën e dhjetë me radhë, vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i të hënën nuk ka dhënë përgjigje se edhe për sa kohë nuk do të intervenojë në largimin e tyre, e mundësimin e lëvizjes së lirë, në këtë pjesë të vendit.
Por kryeministri Albin Kurti, ka bërë të ditur se KFOR-i ka kërkuar kohë shtesë.
Pa dhënë përgjigje definitive se kur do të ndodhë, Kurti ka paralajmëruar largimin e tyre.
“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në koordinim, komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensive me KFOR-in dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni, ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në bandat kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, tha Kurti.
Një ditë më parë, pak metra nga pikë kalimi në Jarinjë, në anën e Serbisë, është protestuar nga dhjetëra persona.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka konfirmuar se synimi i tyre ka qenë djegia e pikës kufitare.
Meritat për parandalimin e një veprimi të tillë, ai ia ka dhënë institucioneve të Kosovës.
“Intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Republikës së Kosovës është rritur ndjeshëm. Grafiku i punuar nga institucionet e sigurisë, që pasqyron vetëm krizën e djeshme në Jarinjë, tregon qartë edhe aktorët e përfshirë dhe autorin e vërtetë, Putinin. Ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës. Ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës (veçmas mekanizmat e sigurisë), në bashkëpunim me partnerët perëndimorë (veçmas amerikanët). Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte. Siç e ka Serbia aleat Rusinë e Kinën, ne e kemi aleat Perëndimin dhe SHBA-në. Ata përfaqësojnë agresionin, ne përfaqësojmë lirinë!” – tha Bislimi.
Ndryshime sa i përket situatës së sigurisë, thonë të mos ketë nga Policia e Kosovës.
Nga ky institucion i sigurisë, kanë konfirmuar numrin e barrikadave të vendosura.
“Forcimi i rendit dhe sigurisë publike, parandalimi i akteve kriminale si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në veri të vendit mbesin ndër prioritetet e Policisë së Kosovës. Që nga vendosja e nëntë (9) barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave, dy pikat kufitare ‘Jarinjë’ dhe ‘Bërnjak’ ende mbesin të mbyllura për qarkullim”, thuhet nga Policia e Kosovës.
E sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kosova është duke rënë në kurthin e ngritur nga Serbia.
“Nëse ishte keq e rëndë në Veri, sot është dhe më keq e edhe më rëndë se që ishte paraprakisht. Kjo është e vërteta në veri dhe këtë të vërtetë institucionet e Kosovës s’mund ta lejojnë të normalizohet tani. Fjalimet e kota e populliste nga foltoret në Prishtinë sot humbasin përbrenda thatësisë. Sot humbasin dhe zërat që i kërkonin Kosovës t’u shpërfaqë sovranitetin aleatëve tanë, tek po të njëjtit aleatë që thirremi sot për ndihmë kur bandat kriminale të Serbisë e Rusisë veprojnë në territorin tonë lirshëm e pa pengim. Prandaj koordinimi është mençuri e maturi. Ecja me aleatë ka qenë gjithnjë interes kombëtar i Kosovës. Ai shpërfaqet si servilitet vetëm përpara politikanëve të turmave e ideologëve antiperëndim që për qëllim të hapur mbajnë rrënimin zhbërjen e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë. Nga aty të koordinojë çdo hap të ardhshëm me aleatë për të kthyer rendin e ligjin në veri. Sjellja e vonuar, apo e pakoordinuar, është vazhdimësi e rënies në kurthin e Serbisë”, tha Abdixhiku.
Të hënën, te barrikada në afërsi të fshatit Çabër, persona të maskuar kanë gjuajtur me gurë ekipin prej tre anëtarësh të KlanKosovës.
Lidhur me sulmin ndaj tyre ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët janë shprehur të shqetësuar me sigurinë e gazetarëve që raportojnë nga veriu.
AGK-ja ka kërkuar nga organet kompetente ndërmarrjen e masave për të siguruar gazetarët e për t’ua mundësuar atyre kryerjen e punës pa i penguar.