Këshilltarja e Kuvendit Komunal të Podujevës, Mrikë Thaçi, nuk do të jetë më pjesë e LDK-së.
Ajo të premten është rikthyer në AAK, ku kishte qenë edhe më herët. Në fillim të seancës së Kuvendit Komunal të ditës së premte, Thaçi, ka thënë se ka marrë vendim që të tërhiqet nga Grupi i këshilltarëve të LDK-së, nën siglën e së cilës kishte garuar në zgjedhjet lokale të vitit 2017.
“Aktivitetin tim e vazhdoj në kuadër të AAK-së”, është shprehur ajo.
Këshilltarja Thaçi kishte garuar në zgjedhjet lokale të vitit 2013 me AAK-në, por ajo në fillim të vitit 2014 ishte larguar nga kjo parti dhe ishte deklaruar si këshilltare e pavarur, edhe pse vota e saj për partinë në pushtet nuk kishte munguar asnjëherë.
Në vitin 2016 ajo e zyrtarizon kalimin në LDK, ku më vonë emërohet edhe drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Podujevë.