Arbëri

Këshilltarët e ministrave do të paguhen më shumë se mjekët

Është shpërndarë te një pjesë e madhe e institucioneve Draft-projektligji i ri i pagave.

Personi më i paguar në sistemin publik në Kosovë do të jetë ajo ose ai që e mban postin e presidentit.

Sipas Draft-projektligjit të siguruar nga KOHA, presidenti do ta këtë koeficientin 20, që është me i larti për gjithë sistemin publik.

Vlera e koeficientit nuk është përcaktuar ende.

Një koeficient më pak, pra 19, do ta kenë kryeministri, kryetari i Kuvendit e kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Rreth katërfish më pak se presidentja do të paguhen mësimdhënësit e shkollave fillore, të mesme të ulët dhe atyre të larta.

Koeficienti i tyre do të sillet nga 4.6 - 5.1.

E policët e rinj do të paguhen rreth pesëfish më pak se presidentja e kryeministri. Ata do ta kenë koeficientin 4.

Nga 7.4 - 10.1 sillet koeficienti për mjekët. Kjo përcaktohet në bazë të asaj nëse kanë ose jo specializim dhe në cilin nivel të sistemit shëndetësor punojnë.

E, infermierët do të paguhen përgjysmë më pak. Koeficientet e tyre do të sillën nga 3.7 deri në 5, sa do ta ketë kryeinfermieri.

Projektligji për pagat përveç koeficienteve, në 52 faqe përcakton edhe kufizimet në pagesa për një pjesë të personave që mbajnë poste publike.

Deputetët do ta këtë koeficientin 16, por Draftligji përcakton që pagesa për pjesëmarrje në komisione parlamentare do të kufizohet. Kjo është e përcaktuar në paragrafin e dytë të nenit 13 të këtij projektligji.

“Shtesa e veçantë për pjesëmarrje në të gjitha komisionet nuk mund të kalojë 20% të pagës bazë së deputetit”, thuhet në draft-projektligjin.

Një pjesë e madhe e mjekëve në ShSKUK janë të angazhuar në Universitetin e Prishtinës si staf akademik. Këta zyrtarë në njërin institucion marrin pagë të plotë e në tjetrin pagë sekondare. Pjesa më e madhe janë të përcaktuar për pagë primare në Universitet, por Draftligji i pagave bën rregullim tjetër. Sipas nenit 27 të Projektligjit, mjekët e punësuar në spitale që do të punojnë edhe në universitete do të paguhen me 30 për qind të pagës së vendit të dytë të punës.

“Nëpunësi profesional i sistemit shëndetësor, i cili ushtron detyrën si personel akademik në arsimin universitar, përfiton një shtesë në vlerë prej tridhjetë për qind (30%) të pagës për pozitën me orar të plotë të punës”, thuhet në draft-projektligjin të siguruar nga KOHA.

Koeficienti për profesorët universitarë do të sillet nga 10.4 - 12.4.

Prokurorët e gjyqtarët në Kosovë janë kategoritë më të paguara, por në bazë të Draft-projekligjit pagat e tyre do të sillen në mes të koeficientit 10.2 - 13.4.

Shefat e këtyre institucioneve do të kenë koeficient deri në 18.5, por që është pagë me u ulët sesa e krerëve të shtetit.

Përmirësim koeficienti ka për kabinetet qeveritare. Ministri do ta këtë koeficientin 16, 12.4 do ta këtë zëvendësministri.

Këshilltaret e ministrave do ta kenë koeficientin me të lartë se të mjekëve në specializim e shefat e kabineteve do të kenë koeficient më të lartë se të mjekëve në QKUK, madje më të lartë edhe se të drejtorit të këtij institucioni që ka nën menaxhim me shumë se 100 milionë euro buxhet.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka quajtur “pseudolajme” artikujt në lidhje me këtë temë, ani pse autenticiteti i Draft-projektligjit nuk është kontestuar.

Deri tani publikisht kundër këtyre kategorizimeve të pagave kanë dalë Federata Sindikale e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit.