Këshilli i Prindërve kundërshton fuqishëm idenë për mbylljen e shkollave për dy javë si masë për ndalimin e përhapjes së COVID-19.
Ymret Reshitaj, kryetar i këtij këshilli, thotë se nuk ka asnjë fakt, as logjik e as faktik, që duhet të vazhdohet me këtë plan.
Reshitaj në “Express intervistë” tha se për 10 shkolla që aktualisht janë të mbyllura për shkak të rasteve me COVID-19, nuk ka pse të mbyllen edhe mbi 700 shkolla të tjera në nivel vendi.
Ditëve të fundit, Sindikata e Arsimit ka insistuar që të shkohet me pushim dyjavor e më pas me mësim online, pasi sipas saj, rreziku nga COVID-19 te nxënësit dhe mësimdhënësit është i madh.
“Nëse do të duhej me diçka me u mburr Kosova është hapja e shkollave dhe menaxhimi i mirë, e vetmja gjë që mundet me u lavdëru Kosova është arsimi dhe vijimi i tij fizik. Problemi është që posa kemi ardhur nga pushimi 1 mujor, pushimi pranveror ka përfunduer, një javë apo pesë ditë u kanë mbetur borxh nga ky pushim. Të shkohet tash edhe me dy javë është e papranueshme, dhe kjo nënkupton humbje e këtij viti me këto pushime të paarsyeshme, s’ka fakte as logjike as faktike. Përderisa kafiteritë e bizneset tjera janë të hapura, ato që janë potencial për përhapje të virusit, shkollat nuk kanë pse të mbyllen, pasi nuk janë burim të infeksioneve”, tha Reshitaj.
Sipas tij, në asnjë vend të botës nuk është thënë se shkollat janë burim i infeksionit.
“Të bëhet mbyllja e shkollave dhe të mbeten hapur të tjerat, është absurditet. Kemi kërkuar që për shkak të kësaj pabazueshmërie dhe dëmit kapital që mund t’ia shkaktojmë arsimit, të vazhdohet me mësim në shkolla”, ka thënë ai.
Edhe
Këshilli i Prindërve apelon te Qeveria të mos mbyllen shkollat
Sipas tij, Këshilli i Prindërve ka përkrahur skenarët A. B dhe C.
Reshitaj tha se vjet është dëshmuar që mësimi online nuk ka arritur objektivat as për së afërmi.
“Me gjithë sakrificën e mësimdhënësve dhe prindërve, që për 24 orë në ditë janë marrë me mësime, objektivat nuk janë arritur. Është e dhimbshme që pa asnjë analizë të shkohet më mësim online. Është dhënë një statistikë se nëse i ndalim fëmijët, do të ndalim frekuentimin e 600 mijë vetave, 300 mijë nxënës e 300 mijë prindër. A mendoni se kështu do ta ndalim frekuentimin, ata prapë do të shkojnë në piceri në vende të ndryshme, është e dhimbshme të dalin këso pikëpamje nga një institucion si Ministria e Shëndetësisë. Por falënderojmë Komitetin për menaxhimin e pandemisë që hodhi poshtë këtë refuzim”, ka thënë ai.