Arbëri

Pak punë në dobi të përgjithshme nga të dënuarit për vepra të lehta

Kodi Penal i Kosovës parasheh që me pëlqim të të dënuarit me masë ndëshkimore të lehtë, atij mund t’i shqiptohet dënimi me punë në dobi të përgjithshme. Në Këshillin Gjyqësor nuk ofruan statistika mbi të tilla dënime. Por në organizatat për të drejtat e njeriut thanë se ato janë të rralla. Sipas tyre, dënime të tilla do të kishin efekt në kursimin e buxhetit të shtetit, uljen e recidivizmit dhe risocializimin e të dënuarve

Të mërkurën e kësaj jave, 213 të dënuar për vepra të lehta penale ndodheshin në burgje. Por vetëm 62 persona mbanin dënim në formën e masës alternative të punës në dobi të përgjithshme.

Kodi Penal i Kosovës e parasheh që me pëlqim të të dënuarit me masë ndëshkimore të lehtë, deri në 1 vit burg ose 2,500 euro, mund t’i shqiptohet dënimi me punë në dobi të përgjithshme.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka dhënë statistika në lidhje me numrin e të dënuarve me punë në dobi të komunitetit.

E, në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë thënë se gjykatat nuk po i aplikojnë dënimet alternative.

“Pra, kjo është punë ekskluzive e gjykatës dhe po të zbatohej kjo në praktikë do të kishte një dobi të përgjithshme për të gjithë, edhe për gjyqësorin, edhe për Shërbimin Korrektues, edhe për ata të cilët e kanë këtë masë të shqiptuar”, ka thënë Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Në organizatat që merren me të drejtat e njeriut kanë thënë se dënime të tilla do të kishin efekt pozitiv edhe te buxheti i shtetit, sepse kostoja mesatare ditore për një të burgosur është 30 euro.

Fatmire Haliti, monitoruese dhe juriste në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se dënimet alternative për efekt kanë edhe uljen e shkallës së përsëritjes së krimeve.

“Nga përshtypja jonë monitoruese shihet që nuk ka programe adekuate përkatëse për personat që janë aty, në mënyrë që të ndikonin në risocializimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri pasi që ta vuajnë dënimin. Sikurse të ishin shqiptuar më shumë, apo të ishin aplikuar masat alternative, përkatësisht dënimin me punë në dobi të përgjithshme, unë besoj që do të kishte ndikuar në uljen e recidivizmit”, ka thënë Fatmire Haliti.

Shërbimi Sprovues ka në kompetencë mbikëqyrjen e zbatimit të dënimeve alternative. Në këtë institucion thanë se vitin e kaluar i kanë pasur nën mbikëqyrje 225 të dënuar të tillë e në tremujorin e parë të sivjetmë 142.

“Kjo punë kryesisht kryhet në institucione publike në Republikën e Kosovës. Shërbimi Sprovues i Kosovës ka marrëveshje të bashkëpunimit me institucionet publike ku kryhet kjo punë. P.sh. biblioteka, zjarrfikëset, shkollat, qendrat e kulturës etj”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Sprovues të Kosovës.

Në Shërbimin Sprovues thanë se organizojnë vazhdimisht tryeza me prokurorë e gjyqtarë, me qëllim të vetëdijesimit të atyre për të shqiptuar sa më shumë dënime alternative.