Arbëri

Kërkohet shkarkimi i drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil

Në letrën shtatëfaqëshe, të siguruar nga KOHA, bëhet e ditur se më 13 maj, këta anëtarë u janë drejtuar Qeverisë, Kuvendit si dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), me pretendimet për një mori shkeljesh, përfshirë pamundësimin e mbikëqyrjes së AAC-së nga ky bord

Shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi, e kanë kërkuar nëpërmjet një letre të përbashkët tre nga pesë anëtarët e bordit të këtij autoriteti.

Në letrën shtatëfaqëshe, të siguruar nga KOHA, bëhet e ditur se më 13 maj, këta anëtarë i janë drejtuar Qeverisë, Kuvendit si dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), me pretendimet për një mori shkeljesh, përfshirë pamundësimin e mbikëqyrjes së AAC-së nga ky bord.

Letra përmban katër seksione, me ato që tre anëtarët i kanë quajtur “shkelje të ligjeve e rregulloreve në fuqi”. Mes tjerash, ata janë ankuar se u është pamundësuar puna e tyre mbikëqyrës.
“Ne kemi vërejtur me keqardhje se drejtori i përgjithshëm dhe kryesuesi i bordit, për shkak të lidhjeve miqësore që kishin, gjatë gjithë kohës na kanë anashkaluar neve anëtarëve të tjerë të bordit, duke mos na përfshirë në komunikim, dhe duke mos na ofruar informata e dokumentacion të nevojshëm, gjë që na ka penguar që në mënyrë të pavarur dhe transparente të bëjmë mbikëqyrjen dhe shqyrtimin e aktiviteteve dhe vendimeve të AAC-së mbi çështjet administrative, ekzekutive, rregullatore e të licencimit, si dhe ato të menaxhimit financiar, në përputhje me kompetencat sipas nenit 16.1 të LAC-së”, shkruhet në këtë letër.

Në njërin seksion pretendohet edhe se AAC-ja i ka lëshuar 30 leje, që është dashur të lëshohen nga MMPHI-ja, për fluturimet nga aeroporti i Kukësit.

Pjesë më vete është “destabilizimi i organizatës, duke instaluar kulturë ndëshkuese dhe pasiguri institucionale”, tek rikujtohet ankesa që e kishte fituar Sindikata e Autoritetit të Aviacionit Civil tek Institucioni i Avokatit të Popullit.

“Drejtori i përgjithshëm i AAC-së me marrjen e mandatit të tij (22 qershor 2020) ka filluar me ndëshkime të stafit të AAC-së dhe atë duke përfshirë vetëm stafin e anëtarësuar në Shoqatën Sindikale të Punëtorëve të Aviacionit Civil – SPAAC (e regjistruar në tetor 2020) ku 80 për qind të tyre janë ndëshkuar në forma të ndryshme, e po ashtu është ushtruar presion, i cili ka ndikuar që zyrtarët të punojnë në ambient toksik të punës”, shkruhet në letrën që bordi ua kishte drejtuar institucioneve.

Drejtuesit e sindikatës kanë thënë për KOHËN se nuk e kanë parë asnjë veprim nga ana e drejtorit të AAC-së për ta zbatuar rekomandimin e Avokatit të Popullit, për heqje të pengesave për organizim sindikal.

Drejtori i AAC-së, kryetari i bordit mbikëqyrës të AAC-së, MMPHI-ja e Qeveria nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me këto çështje.