Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet prokuror për çështje të biznesit dhe investimeve

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se prioritetet kryesore të Prokurorit të Shtetit janë ndjekja e suksesshme e krimit të organizuar dhe veprave penale që rrënojnë bazat e ekonomisë së vendit.

Kështu ka deklaruar ai në një takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Ata diskutuan për rritjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve, por edhe për ndjekjen dhe zbulimin e veprave penale që bëhen kundër komunitetit të biznesit në Kosovë, si dhe, rritjes së sigurisë juridike për investitorët nga Kosova dhe vendet e huaja.

“Gjithashtu, ata kanë biseduar për raportimin e krimeve të shumta që bëhet ndaj bizneseve në Kosovë, si dhe, ndaj sektorit bankar, me qëllim që të sigurohet mbrojtja juridike dhe të rritet efikasiteti në ndjekjen e kryerësve të këtyre veprave penale”, thuhet në njoftim.

Aty theksohet se Lumezi e Rukiqi kanë diskutuar edhe për mundësinë që në kuadër të Prokurorit të Shtetit të caktohet një prokuror për çështje të biznesit dhe investimeve, me qëllim që t’i ofrohet siguria e duhur këtij sektori.

Lumezi e Rukiqi kanë konstatuar se kjo është rruga e duhur për të mbrojtur veprimtaritë ekonomike dhe për të zhvilluar qarkullimin e lirë të kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

“Kryeprokurori Lumezi ka theksuar se synim kryesor i Prokurorit të Shtetit, është luftimi i suksesshëm i krimit në Republikën e Kosovës dhe kontributi në sigurimin e sundimit të ligjit. Ndërkaq, ka theksuar se prioritetet kryesor është ndjekja e suksesshme e krimit të organizuar, dhe veprave penale që rrënojnë bazat e ekonomisë së vendit”, thuhet në fund të njoftimit.