Neni 7 i Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të prokurorëve dhe gjyqtarëve, parasheh pesë masa ndëshkuese për shkeljet disiplinore, nisur prej vërejtjes jopublike me shkrim, vërejtjes publike me shkrim, zvogëlimit të përkohshëm të pagës deri në pesëdhjetë për qind për një periudhë deri në një vit, transferimit të përkohshëm ose të përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët e deri te propozimi për shkarkim nga detyra. Gzim Shala, hulumtues dhe monitorues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se masat që sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor i ka zbatuar ndër vite kanë ngulitur kulturën e pandëshkueshmërisë
Shtatë prokurorë të prokurorive themelore dhe një i Speciales janë vënë gjatë këtij viti nën llupën e hetimeve, për shkak të shkeljeve të supozuara disiplinore gjatë rasteve që i kanë trajtuar. Hetimet disiplinore, sipas njoftimeve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, janë përmbyllur vetëm ndaj tre prej këtyre prokurorëve.
Në rastet e dy prej prokurorëve janë pranuar shprehja e keqardhjes dhe pranimi i fajësisë për shkeljet e bëra dhe është shqiptuar masa e “vërejtjes publike me shkrim”, e cila është njëra prej më të lehtave të parapara.
Rasti më i fundit i shqiptimit të kësaj mase është ai i prokurores Stojanka Kasaloviq, e cila ishte vënë nën hetim disiplinor, shkaku i neglizhencës në procesin gjyqësor të Lirije Qerimajt nga Llausha e Skenderajt, që kishte raportuar për dhunë në familje dhe më pas ishte vrarë nga bashkëshorti i saj. Në rastin e dytë, për prokuroren Ferdane Sylejmani ishte vendosur masa e ndjekjes së detyrueshme të trajnimit shkaku i performancës së pamjaftueshme në punë, vetëm tre muaj para daljes së saj në pension. E në rastin e prokurores Shemsije Asllani, Këshilli Prokurorial ka marrë vendim më të ashpër, duke e degraduar atë nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Themelore në Prishtinë në atë Themelore në Mitrovicë.
Neni 7 i Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të prokurorëve dhe gjyqtarëve, parasheh pesë masa ndëshkuese për shkeljet disiplinore.
“1. Për shkelje disiplinore, Këshillat përkatës mund t’u shqiptojnë gjyqtarëve dhe prokurorëve një ose më shumë nga sanksionet disiplinore në vijim: 1.1. vërejtje jopublike me shkrim; 1.2. vërejtje publike me shkrim; 1.3. zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë për qind për një periudhë deri në një vit; 1.4. transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët; 1.5. propozim për shkarkim”, thuhet në Nenin 7 të Ligjit.
Në kuadër të masave disiplinore të shqiptuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, gjatë viteve 2021 dhe 2022 janë suspenduar nga puna katër gjyqtarë. Në një përgjigje për KOHËN nga Këshilli Gjyqësor është bërë e ditur se vetëm një gjyqtar është transferuar në një gjykatë të nivelit më të ulët.
“Gjatë vitit 2021 e deri më tani, janë suspenduar katër gjyqtarë. Arsyet e suspendimit janë shkelje disiplinore të përcaktuara në nenin 5 të Ligjit Nr.06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. KGJK-ja është duke e zbatuar me përgjegjësi të lartë Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në rast të konstatimit të shkeljeve disiplinore të një gjyqtari, Këshilli shqipton masat disiplinore të përcaktuara në nenin 7, të Ligjit Nr.06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Për këtë periudhë raportuese, këshilli me vendim disiplinor deri më tani, vetëm një gjyqtar e ka transferuar në një gjykatë të nivelit me të ulët”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.
Gzim Shala, hulumtues dhe monitorues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se masat që sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor i ka zbatuar ndër vite kanë ngulitur kulturën e pandëshkueshmërisë.
“Jo në pak raste kemi parë se sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial i Kosovës, përpos faktit që në disa raste nuk ka iniciuar fare procedurë hetimore disiplinore dhe në një formë nuk janë shqetësuar fare ata gjyqtarë apo prokuror për shkeljet që kanë bërë, masat e njëjta të cilat i kanë ndërmarrë ata në një farë forme kanë treguar amnisti për gjyqtarët dhe prokurorët. Në disa raste, është përmendur se në sistemin prokurorial, p.sh. një numër i konsiderueshëm i prokurorëve janë me masa disiplinore, por nëse i shohim se çfarë masa janë, një numër i konsiderueshëm i tyre janë vërejtje jopublike me shkrim apo vërejtje publike me shkrim”, ka theksuar ai.
Nga Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me kritikat e adresuara për masat e deritanishme ndaj prokurorëve që kanë bërë shkelje. E nga Këshilli Gjyqësor kanë thënë se institucioni ka dëshmuar përgjegjësi të lartë në trajtimin e rasteve të këtilla. Zyrtarë të KGJK-së kanë bërë të ditur ndërkaq, se shumica e masave të vendosura disiplinore nuk bëhen publike, shkaku i konfidencialitetit.
“KGJK-ja po dëshmon përgjegjësi të lartë në trajtimin e rasteve disiplinore, për çka po vlerësohet edhe nga organizatat monitoruese. Mirëpo, në shumë raste, për shkak të konfidencialitetit të procedurave, nuk mund të bëhen publike veprimet dhe masat që ndërmerren”, thuhet në përgjigjen nga Këshilli Gjyqësor.
Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar vettingun si zgjidhjen më të mirë për sistemin e Drejtësisë. Fuqizimin e mekanizmave të brendshëm të KGJK-së dhe KPK-së për disiplinimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve e ka rekomanduar edhe Komisioni i Venecias në një draftopinionin për procesin e vettingut në Kosovë.