Komisioni parlamentar për arsim do të kërkojë interpretim në Zyrën ligjore të Kuvendit rreth kompetencave që i kanë Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) dhe Komisioni i Ankesave në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) në akreditimin e programeve studimore.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi pas mbledhjes që është mbajtur të hënën, shkruan sot “Koha Ditore”. Në këtë mbledhje, e cila ka zgjatur më shumë se dy orë, kanë qenë të ftuar anëtarë të KSHC-së (Bordit të Agjencisë) dhe anëtarë të Komisionit të Ankesave për të dhënë sqarime rreth përzierjes së kompetencave që kanë ndodhur së fundi në akreditimin e programeve.
Me kërkesë të Komisionit të Ankesave ishte paralajmëruar se takimi i Komisionit parlamentar do të mbahet i mbyllur për media. Por gazeta ka mësuar se më vonë disa media janë lejuar të marrin pjesë në mbledhje.
Komisioni i Ankesave së fundi ka anuluar disa vendime të Këshillit, i cili ua kishte refuzuar akreditimin e programeve disa institucioneve të arsimit të lartë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)