Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet hetim nga Prokuroria për “Drinin e Bardhë” dhe “Hidroregjionin jugor”

Raportet e auditimit të kompanisë rajonale të ujitjes “Drini i Bardhë” dhe kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, në Prizren, pritet të përfundojnë në Prokurori.

Thirrjet për t’i hetuar këto raporte nga institucionet ndjekëse, u bënë në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, aty ku u tha se në këto kompani ka ndodhur abuzim i tmerrshëm me paranë publike, raporton KTV.

Në opinionin e auditorit të përgjithshëm për vitin 2018 për “Hidroregjionin jugor” thuhet se pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2018, nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

Keqdeklarimet materiale, të cilat janë të përhapura në tërë pasqyrat financiare, kanë rezultuar me opinion të kundërt të Pasqyrave për vitin 2018, ndërsa sa i përket menaxhimit financiar dhe kontrollit, në të gjitha fushat janë identifikuar dobësi të shumta.

Ndërkohë, për Kompaninë Regjionale të Ujitjes “Drini i Bardhë’, Auditori nuk ka arritur të japë opinion për shkak të mungesës së dëshmive të mjaftueshme dhe të përshtatshme të auditimit.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka kërkuar jo vetëm shkarkimin e menaxhmetit të këtyre ndërmarrjeve, por ka kërkuar nga Qeveria që t’i marrë nën menaxhim direkt këto kompani.

Edhe Selmanaj kërkon shkarkimin e menaxhmentit të “Drinit të Bardhë” e “Hidroregjionit jugor” Arbëri Selmanaj kërkon shkarkimin e menaxhmentit të “Drinit të Bardhë” e “Hidroregjionit jugor”

Ndërkohë, për raportin e Hidroregjionit jugor në Prizren, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se nuk ka as çfarë të diskutojnë pasi që Auditori e ka opinionin e kundërt për këtë kompani, por Kryeshefi i “Hidroregjionit Jugor” Prizren, tha se gjendja nuk është edhe aq keq.

Për të njëjtën çështje, kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj thirri edhe një konferencë për media.

Ai tha se javën e ardhshme do të shqyrtohen edhe raportet e ndërmarrjeve të tjera dhe sipas tij, të njëjtat do të procedohen tutje, nëse ka nevojë edhe në Prokurori.