Arbëri

“Hidroregjioni Jugor” thotë se tarifat për shërbimet e ujit nuk duhet të rriten

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) bashkë me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, të martën, në Prizren ka organizuar diskutimin publik për caktimin e tarifave të shërbimeve të ujit për periudhën 2022-2024. Zyrtarët e këtij autoriteti kanë pohuar se pas analizës së bërë lidhur me planet e “Hidroregjionit Jugor” ka rezultuar se tarifat nuk duhet të rriten. Me një konstatim të tillë janë pajtuar edhe zyrtarët e KRU “Hidroregjioni Jugor”, duke pranuar se një gjë e tillë do ta sfidojë kompaninë, por se në anën tjetër pritet mbështetja nga konsumatorët në aspektin e shlyerjes së obligimeve të akumuluara.

Vehbi Duraku nga ARRU ka bërë të ditur se në rrjedhë është procesi për përcaktimin e tarifave për vitet 2022-2024, dhe se në kuadër të kësaj merren për bazë shumë elemente, si prodhimi i ujit, humbjet e ujit, faturimi, shpenzimet operative, numri i konsumatorëve, shitjet e ujit, investimet kapitale, etj., dhe se bazuar në analizën e planeve të kompanisë ka rezultuar se tarifat aktuale janë të mjaftueshme për afarizmin e saj.

“Ne pasi i kemi analizuar të gjitha planet, ku është diskutuar gjerë e gjatë brenda nesh fillimisht, pastaj edhe me Kompaninë në detaje, është paraparë se tarifat ekzistuese janë të mjaftueshme dhe të përballueshme që kompania me afaru me biznesin e saj në mënyrë që me ofruar shërbime të nivelit të kënaqshëm për konsumatorët e saj. Pra, tarifat nuk do të rriten”, ka thënë Duraku.

Sipas tij gjatë diskutimeve me zyrtarët e “Hidroregjionit Jugor” është kërkuar që kjo kompani të angazhohet në mënyrë më efektive për zvogëlimin e humbjeve të ujit.

aspektin e investimeve kapitale, ne i kemi obliguar kompanitë që t’i orientojnë investimet e tyre për zvogëlimin e humbjeve të ujit, që kryesisht kanë të bëjnë me ndërrimin e gypave, e zëvendësimin e ujëmatësve”, ka deklaruar Duraku.

Në anën tjetër Fadil Berisha nga KRU “Hidroregjioni Jugor” ka pranuar se tarifat ekzistuese nuk janë të mjaftueshme për t’i mbuluar nevojat aktuale të kompanisë, por ka shtuar se në konsideratë merret edhe mundësia e pagesave nga konsumatorët. Për këtë arsye ka pohuar se kompania e ujësjellësit do të bëjë përpjekje që nevojat t’i realizojë me tarifën ekzistuese, edhe pse kjo paraqet sfidë për jetësimin e planifikimeve të bëra.

“Kompania në fazën e parë të aplikimit tarifor ka projektuar, planifikuar shpenzimet e domosdoshme dhe investimet e domosdoshme për ti realizuar të gjitha synimet që ka dhe për të funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, natyrisht i kemi marrë për bazë edhe vërejtjet e sugjerimet e ARRU-së që duhet të merret parasysh edhe mundësia e pagesës apo arkëtimit të konsumatorëve me qëllim që këto tarifa të jenë sa më të përballueshme për konsumatorët. Dihet që për ne konsumatori është në qendër të vëmendjes, jo vetëm nga ARRU-ja por edhe nga kompania jonë. Ne pa marrë parasysh nevojën shumë më të madhe të rritjes së shpenzimeve, nevojën shumë më të madhe të shumës së planifikuar për investime vetanake, besojmë se në harmonizim të plotë me ARRU-në, sado që projeksionet janë shumë sfiduese për ne që të kemi parasysh gjitha këto faktorë dhe së paku për vitin 2022 mos të ketë rritje të tarifave, por të sfidohemi bashkërisht, të angazhohemi bashkërisht, natyrisht edhe me mbështetjen e konsumatorëve, që këtë mund ta tregojnë me kryerjen e obligimeve, me qëllim që kompania ti kryejë të gjitha obligimet pa rritje të tarifave”, ka thënë Berisha.

Paraprakisht ka theksuar se kompania gjatë viteve në vijim do të angazhohet për zvogëlimin e ujit të pafaturuar, rritjen e numrit të konsumatorëve, shtimin e ujit të prodhuar, jetësimin e investimeve kapitale, etj.

Lidhur me procesin e përcaktimit të tarifave janë adresuar edhe pyetjet nga publiku, të cilat kanë marrë sqarimet përkatëse nga zyrtarët e ARRU-së dhe të “Hidroregjionit Jugor”.

Sipas njoftimit të ARRU-së, diskutimet e tilla pas Gjilanit e Prizrenit, në ditët në vijim do të zhvillohen edhe në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Prishtinë.