Arbëri

Kërkohen gjoba më të larta për kompanitë që nuk ofrojnë kushte të sigurisë

Një punëtor rreth moshës 46-vjeçare ka rënë sot nga një lartësi prej rreth dy metrash në një vendpunishte në lagjen “Lakrishtë” të kryeqytetit.

Punëtori i lënduar është dërguar për mjekim në Emergjencën e QKUK-së, ndërkohë që edhe Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes për t’i zbardhur rrethanat e rastit.

Ai, ndërkohë, është liruar nga spitali.

Vendpunishtja ku ka rënë punëtori është e rrethuar nga pano të një kompanie. Të kontaktuar nga KOHA, përfaqësues të saj e kanë mohuar se vendpunishtja është e tyre, teksa kanë thënë se në vendin ku ka rënë punëtori kryen punimet një kompani tjetër.

Ndërkohë, Jusuf Azemi nga Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës ka folur për mungesën e kushteve të sigurisë në punë.

Ai ka kërkuar gjoba më të larta për kompanitë që nuk ofrojnë kushte për punëtorët në vendin e punës.

Vitin e kaluar, 14 persona vdiqën në vend të punës, derisa më 2019 numri i të vdekurve ishte 17.

Ndërkohë, brenda dy muajve të këtij viti, në vendin e punës kanë vdekur dy punëtorë.