Prishtinë, 2 prill - Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) i Ministrisë së Shëndetësisë, përmes një reagimi thekson se ka vërejtur se këto ditë në mediat elektronike dhe në veçanti në rrjetet sociale, është duke qarkulluar një thirrje për ndihmë financiare për trajtimin e fëmijës me inicialet M. B.
Ndër të tjera, në këtë thirrje thuhet se “Ministria e Shëndetësisë nuk është duke i ofruar ndihmë pacientit në fjalë”!
Për hir të korrektësisë, ju informojmë se në Zyrën për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike (TMJIShP), të FSSh, në bazë të verifikimit të bërë nga zyrtarët kompetentë, nuk figuron të ketë aplikuar as familja apo dikush tjetër për pacientin në fjalë, për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike në Kosovë, një e drejtë kjo për secilin qytetar të Republikës së Kosovës.
FSSH u bën thirrje mediave që të jenë të kujdesshme me rastin e raportimit për raste të këtilla dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u informuar drejt nga autoritetet përkatëse, thuhet në reagim.