Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërcënohet aktivistja serbe që tha se Kosova duhet të lejohet të pranohet në OKB

Me kërcënime dhe fyerje të rënda është përballur, Sofija Todoroviq, drejtoreshë e programit Nisma rinore për të drejtat e njeriut në Serbi, vetëm pse publikisht ditë më parë u shpreh se Kosova duhet të ketë ulëse në Kombet e Bashkuara e se Serbia duhet të pajtohet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në objektin e banesës ku ajo banon në Beograd, ishin bërë grafitë kërcënuese me emrin dhe mbiemrin e aktivistes. Afër emrit të saj ishte vënë edhe simboli “Z”, që përdoret në agresionin rus kundër Ukrainës dhe që simbolizon shkatërrimin.

Në një intervistë për “FoNet”, ditë më parë aktivistja qe shprehur ditë më parë se OKB-ja është krijuar për të garantuar paqe e respektim të të drejtave të njeriut. “Padyshim që do të kishte përmirësim të situatës me të drejtat e njeriut në Kosovë”, pati deklaruar ajo duke shtuar se nuk e kupton përse Serbia është kundër pranimit të Kosovës në OKB.

“Duhet të na vijë turp për gjëra të tjera, jo për faktin se duam të flasim me njerëzit që jetojnë afër nesh”, ishte përgjigjur ajo në pyetjen nëse marrëveshja Kosovë-Serbi do të shihej si tradhti.

Po ashtu Todoroviq ka thënë se për të nuk ka dilema nëse duhet zgjedhur mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

“Përgjigja ime është se duhet të dyja, por Kosovën si territor funksional ku njerëzve u garantohen të drejtat bazike njerëzore dhe ku mbizotëron paqja”, qe shprehur ajo. Todoroviq po ashtu ka thënë se nuk duhet që të ketë abuzime e tensione për shkak të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Reagime ndaj kërcënimeve të Todoroviqit ka pasur në Serbi e në Kosovë. Të premten, 18 aktivistë e organizata joqeveritare në Kosovë dhe Serbi i kanë dënuar aktet e frikësimit drejtuar Todoroviqit.

Edhe Deklarata fashiste e ministres serbe dënohet nga BE-ja, Kosova dhe një pjesë e opozitës në Serbi Arbëri Deklarata fashiste e ministres serbe dënohet nga BE-ja, Kosova dhe një pjesë e opozitës në Serbi

“Është e domosdoshme që rastet e tilla të hetohen urgjentisht nga autoritetet përkatëse. Askush nuk duhet t’i nënshtrohet kërcënimit me dhunë fizike. Të gjithë qytetarët duhet të kenë të drejtë t’i shprehin mendimet e tyre për të gjitha çështjet pa frikë nga hakmarrja apo pasojat. Kjo vlen edhe për çështjen e statusit të Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut të hapur dhe të qëndrueshëm, pjesë themelore e të cilit është edhe mospajtimi”, thuhet në letrën e nënshkruar nga aktivistët.

“Pavarësisht mendimit për statusin e Kosovës, çdo individ duhet të jetë në gjendje ta shprehë atë haptas dhe me bindje. Përpjekjet për t’i heshtur zërat, siç është rasti tani me znj. Todoroviq, duhet të denoncohen nga të gjithë”, thuhet tutje në reagim. “ Artikulimi i një vizioni për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kërkon njerëz të gatshëm dhe me guxim ta ngrenë zërin pa frikë nga pasojat. Në mungesë të një konsensusi është edhe më jetike krijimi i hapësirave të sigurta ku mund të propozohen ide dhe të dëgjohen këndvështrime të ndryshme”.

Aktivistët kanë vlerësuar se heshtja e perspektivave alternative i dëmton jo vetëm raportet Kosovë-Serbi, por edhe vetë zhvillimin e demokracisë.