Një sërë keqpërdorimesh dyshohet që kanë ndodhur në Këshillin Prokurorial të Kosovës me qëllim që asistentja e drejtorit të sekretariatit të këtij institucioni të bëhej me veturën e vlerës 25 mijë euro. Aktakuza e ngritur për korrupsion kundër Lavdimi Krasniqit, drejtor i sekretariatit të KPK-së, asistentes së tij, Marigona Berishës, shoferit Ardian Krasniqit dhe zyrtares së prokurimit Flora Dodës, flet për një serë keqpërdorimesh. Ndër të tjera, drejtori dhe shoferi i tij akuzohen se me veturë zyrtare bartën për në Shqipëri një të dyshuar për vrasje të rëndë
Katër zyrtarë të Këshillit Prokurorial kanë përfunduar si pjesë e një aktakuze të përbashkët për korrupsion. Lavdimi Krasniqi, drejtor i sekretariatit të KPK-së, asistentja e tij Marigona Berisha, shoferi Ardian Krasniqi dhe zyrtarja e prokurimit Flora Doda ngarkohen për disa vepra penale.
Pjesa kryesore e aktakuzës gjashtëfaqeshe e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, flet për inkriminimin e këtyre zyrtarëve në vepra të ndryshme.
Sipas aktakuzës drejtori i sekretariatit, Lavdim Krasniqi, shoferi i tij Ardian Krasniqi kanë bashkëpunuar në mënyrë që asistentes së drejtorit, Marigona Berishës t’i siguronin një veturë që kap vlerën 25 mijë euro, e që një person me të kaluar kriminale pretendohet se ua kishte dhënë atë, me kushtin që zyrtarët e KPK-së të ndikonin në një rast që e kishte në procedurë në gjykatë.
“Në muajin shtator të vitit 2020, në cilësinë e personave zyrtarë, i pandehuri Lavdim Krasniqi – në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, i pandehuri Ardian Krasniqi, në cilësinë e shoferit personal (familjar) të të pandehurit Lavdim Krasniqit, kanë ndërmarrë veprime për pengimin e arrestimit nga policia e të dyshuarit Albi Mulolli, për dyshimin e kryerjes së veprës penale: Vrasje e rëndë në tentativë, në atë mënyrë që, i pandehuri Lavdim Krasniqi, përmes të pandehurit Ardian Krasniqi (shofer personal), i kanë mundësuar të dyshuarit Albi Mulolli që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës, për në Shqipëri”, thuhet në aktakuzë.
Në aktakuzë përshkruhet se si dy zyrtarët e KPK-së, përkatësisht drejtori dhe shoferi i tij, kishin bartur me veturë për në Shqipëri, një person me të kaluar kriminale. Kalimi i këtij të dyshuari për vrasje të rëndë ishte bërë pa iu nënshtruar kontrollit, për shkak se ishte veturë zyrtare e Prokurorisë së Shtetit.
“Në muajin shtator të vitit 2020, në cilësinë e personave zyrtarë, i pandehuri Lavdim Krasniqi – në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, i pandehuri Ardian Krasniqi, në cilësinë e shoferit personal (familjar) të të pandehurit Lavdim Krasniqit, ashtu që kanë ndërmarrë veprime për pengimin e arrestimit nga policia e të dyshuarit Albi Mulolli, për dyshimin e kryerjes së veprës penale: vrasje e rëndë në Tentativë, në atë mënyrë që, i pandehuri Lavdim Krasniqi, përmes të pandehurit Ardian Krasniqi (shofer personal), i kanë mundësuar të dyshuarit Albi Mulolli që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës, për në Shqipëri”, thuhet në këtë dokument.
E në institucionin e Prokurorisë së Shtetit, para se të hapej procedura e tenderit, zgjidhej fituesi.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Ardian Krasniqi në cilësinë e Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Lavdim Krasniqi, në cilësinë e shoferit, nga janari i vitit 2018 e në vazhdimësi, në bashkëkryerje, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla e dhurata për vete dhe për tjetrin nga personi Bashkim Mulolli me qëllim të ushtrimit të ndikimit të tyre në vendimmarrje për uljen dhe shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për të njëjtin. Me këtë, të pandehurit kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, nga neni 424 i KPRK-së.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dy propozime: Ndalimin e ushtrimit të posteve publike për të akuzuarit e konfiskimin e veturës që pretendohet se është kryer përmes veprës penale.
Shefi i sekretariatit, shoferi i tij e asistentja ishin arrestuar muaj me parë, por tani është ndërprerë masa e paraburgimit.
Lavdim Krasniqi po dyshohet nga prokuroria se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrimi i ndikimit” dhe veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”; Berisha po dyshohet për veprën penale “moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”; ndërsa Ardian Krasniqi për veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”.
Pas fillimit të procedurës penale ndaj Lavdim Krasniqit, KPK-ja kishte marrë vendim për suspendimin e të njëjtit me pagesë 50 për qind të pagës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente.
Po ashtu, KPK-ja kishte marrë vendim për suspendimin edhe të zyrtares Marigona Berisha.