Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka gjobitur KEDS-in me 6 mijë euro, pasi ka konstatuar se nuk ka respektuar afatin e vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë. Ministria e Tregtisë nuk ka treguar shkallën e gjobës, por në një njoftim është theksuar se për një njehsor gjobat e shqiptuara janë nga 1 mijë e 500 euro deri në 5 mijë euro
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka sanksionuar KEDS-in për mosrespektim të afatit të vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë.
Burime të KOHËS bëjnë të ditur se kompania është gjobitur me gjithsej 6 mijë euro për dy njehsorë me afat të skaduar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE Ministria ka njoftuar për nisjen e shqiptimit të gjobave, por nuk e ka treguar shumën.
“Gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë. Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji (neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2), ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5,000 eurosh për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, të martën.
Gjatë këtij muaji Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të KEDS-it, për të cilët ekziston dyshimi se nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.
Dyshimet u riaktualizuan nga LDK-ja, sekretari organizativ i së cilës, Visar Azemi, bëri të ditur se pas një hulumtimi ka dalë se 87% e njehsorëve regjistrojnë rrymën në kohë të pasaktë.
Pas kësaj, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit krijoi një komisionin, i cili ka konstatuar edhe njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë e edhe devijim të orës, krahasuar me kohën reale.
Në KEDS kanë insistuar se njehsorët matin saktë konsumin e energjisë, dhe kanë theksuar se devijimet e mundshme lidhen vetëm me datën dhe kohën.
E, të martën Ministria ka funksionalizuar edhe një linjë telefonike, në të cilën konsumatorët mund t’i paraqesin ankesat.
“Me qëllim të lehtësimit të raportimit të parregullsive në treg, nga sot është funksionalizuar edhe një numër mobil për pranimin e ankesave. Qytetarët mund të adresojnë ankesat e tyre në çdo kohë, përfshirë ditët e vikendit dhe festat, edhe përmes platformës Viber”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Brenda tri ditësh pas ngritjes së dyshimeve dhe formimit të Komisionit nga Ministria janë paraqitur mbi 500 ankesa nga konsumatorët.