Gjuhë kritike ndaj zhvillimeve në shëndetësinë publike në Kosovë ka përdorur edhe Komisioni Evropian në raportin për vendin.
Në pothuajse asnjërën çështje në këtë fushë, Kosova sivjet nuk ka shënuar progres.
“Në politikën e shëndetit publik, cilësia e kujdesit shëndetësor mbetet shqetësuese. Nuk pati asnjë përparim në futjen e një skeme universale të sigurimit shëndetësor dhe sistemi i informimit shëndetësor mbetet jo funksional”, thuhet në raport.
Qeveria e Kosovës këtë vit është lavdëruar për rritje të buxhetit në shëndetësi, por KOHA ka raportuar që rritja e proklamuar nga ekzekutivi nuk është reale. Një gjë të tillë e ka konstatuar edhe Komisioni Evropian në këtë raport. Konstatimi është që buxheti është zvogëluar për 14.6 për qind.
“Buxheti i shëndetësisë për vitin 2022 është ulur me 14.6%, krahasuar me vitin 2021, megjithëse te shëndetësia parësore buxheti ishte 1.5% më i lartë se vitin 2020, dhe buxheti për shërbimet klinike spitalore dhe universitare (129.7 milionë euro) ishte 10% më i lartë se 2021”, thuhet në raport.
Në raport thuhet edhe që nuk ka progres në hartimin e strategjisë nacionale për shëndetësi, nuk ka zhvillime në fushën e shëndetit mendor dhe që Kosova e ka të pazbatueshëm ligjin antiduhan.
Një pjesë e qytetarëve, sipas raportit, nuk kanë fare qasje në shëndetësi publike.
Programi për skreningun e kancerit nuk është bërë ende, e e-shëndetësia nuk po përdoret nga institucionet shëndetësore.
Një nga gjetjet me shqetësuese për shëndetësinë në Kosovë është vdekshmëria e foshnjave, që raporti e paraqet si nga me të lartat në Evropë.
“Sa u përket pabarazive në kujdesin shëndetësor, qasja e shërbimeve shëndetësore për fëmijët përben shqetësim – nuk ka pasur përmirësime te shkalla e vdekshmërisë te të porsalindurit, foshnjat dhe fëmijët, e cila është 3 herë me lartë sa mesatarja në Evropë dhe më e larta në regjion”, thuhet tutje në raport.
Raporti megjithatë lavdëron Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e COVID 19, procesin e vaksinimin dhe procesin e amendamentimit të disa ligjeve aktuale.