Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar që partitë politike parlamentare të bashkërendojnë kërkesat e tyre për dialogun me Serbinë në një draftrezolutë të përbashkët.
KDI ka thënë se ka analizuar të gjitha draft rezolutat e prezantuara deri tash nga partitë në pushtet dhe opozitë dhe ka vlerësuar se përmbajtja e tyre përputhet në disa pika siç janë:
- kërkesat për respektim të integritetit territorial të Republikës së Kosovës,
- kërkesa për njohje nga Serbia dhe
- përcaktimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës si autoriteti përfundimtar që do të ratifikojë marrëveshjen e re potenciale me Serbinë.
“Partitë politike duhet të bashkërendojnë këto kërkesa në një draft rezolutë të përbashkët. Republika e Kosovës nuk duhet të vazhdojë fazën finale të dialogut pa një qëndrim shtetëror të artikuluar në Kuvend, pa strategji dhe pa përcaktuar temat e diskutimit, vijat e kuqe, afatet kohore, pritshmëritë e palës kosovare në këtë proces dhe pa legjitimuar me anë të një rezolute ekipin udhëheqës të Kosovës në këto bisedime. Partitë parlamentare duhet të rrisin përpjekjet e tyre për të ndërtuar konsensus politik dhe të artikulojnë qartazi qëndrimet e shtetit të Kosovës në këto bisedime. Kuvendi i Kosovës duhet të marrë përgjegjësi në këtë proces dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, si përfaqësues të vullnetit të popullit nuk mund të shmangen nga përgjegjësitë që lidhen me të ardhmen e procesit”, thuhet në thirrjen e KDI-së për partitë politike në Kuvend duke kërkuar rol më konstruktiv dhe më të përgjegjshëm.