Arbëri

KBI ia kthen paratë qytetarit që shiti viçin për të varrosur nënën

Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) në Vushtrri ka reaguar në lidhje me raportimet se qytetari i Vushtrrisë, Sabri Beqiri, është detyruar të shesë viçin që të varroste nënën, meqë KBI ka refuzuar ta varroste, për shkak se nuk ia kishte paguar kontributin.

Në një reagim për media, KBI në Vushtrri ka thënë se asnjë qytetar i kësaj komune nuk paguan për shpenzime të varrimit “e për më tepër Bashkësia Islame nuk ka ndodhur asnjëherë që të refuzojë shërbimet e varrimit të ndonjë qytetari për mos pagesë, aq më tepër të rastet skamnore”.

Sot, KBI thotë se ia ka kthyer paratë Beqirit, 417 euro, dhe ka formuar komision të brendshëm për të shikuar nëse ka pasur ndonjë lëshim nga zyrtarët e KBI-së në rastin në fjalë.

“Shpenzimet e ritit të varrimit për çdo qytetar që nga janari 2018 i mbulon Komuna e Vushtrrisë, për çka si bashkësi jemi mirënjohës dhe kjo masë ka lehtësuar jetën e qytetarëve të Vushtrrisë. Sqarojmë opinionin se anëtarësia është çështje e ndarë nga shpenzimet e varrimit. Si çdo kund në botë edhe tek ne paguhet si anëtarësia si shpenzimet e varrimit. Për më tepër qytetari Sabri Beqiri ndihmohet rregullisht nga KBI dhe imamët me ndihma mujore materiale e ushqimore”, thuhet në reagim.

Sipas KBI-së, Beqiri me rastin e pagesës nuk ka deklaruar që është rast skamnor dhe se ai ka paguar me vetëdëshirë për varrimin e nënës.

Nuk ia varrosin nënën pa paguar anëtarësinë në BIK, detyrohet ta shesë viçin 2 muajsh

“Ne si KBI kur kemi kuptuar nga gazetari që ka bërë kronikën rastin e qytetarit Sabri Beqiri, jemi befasuar me deklaratën e qytetarit Sabri Beqiri se është rast skamnor, sepse këtë ai nuk e ka deklaruar tek zyrtari i KBI kur e ka bërë pagesën. Qytetari Sabri Beqiri, ka ardhur në Këshill dhe me vet dëshirë me para në xhep dhe ka deklaruar se dëshiron të paguajë anëtarësinë e pa paguar, duke deklaruar që ‘tani që është rasti edhe kam edhe ndihmën e vllaznillakut’. Nuk ka kërkuar të lirohet e as nuk ka paraqitur dëshmi që është rast social. Ndryshe KBI i liron nga pagesa e anëtarësisë të gjithë skamnorët. Duke dashur që të ruajmë ndjeshmërinë e rastit si skamnor e duke dashur të ruajmë privatësinë e një skamnori e të familjes së tij jemi përmbajtur nga deklarimi për medie por kemi zhvilluar procedurat për të verifikuar këtë rast. Zyrtari i Këshillit ku është paguar anëtarësia është në zyre dhe nuk ka si me ditë që një rast është skamnor nëse nuk paraqitet ndonjë dëshmi nga vet qytetari e aq më tepër kur i njëjti ka ardhur me para në dorë në KBI dhe pa asnjë vërejtje a kërkesë për lirim, e ka paguar anëtarësinë”, thuhet më tej në reagim.

“KBI në Vushtrri ndihmon në baza mujore mbi 100 familje në Vushtrri me ndihma ushqimore e materiale. Në Vushtrri asnjë familje nuk mbetet pa miell dhe gjana ushqimore sepse këto sigurohen nga imamët me përkrahjen e qytetarëve nga grumbullimi i zekatit dhe kjo praktikë është që zbatuar në 15 vitet e fundit. KBI në Vushtrri kontribuon vazhdimisht me ndihma ushqimore e materiale skamnorët por po ashtu ka ndërtuar 3 shtëpi për skamnorët dhe ka siguruar donacion të vlefshëm për komunitetin si shtëpi shëndeti e shtëpi për kujdes për fëmijët me nevoja të veçanta”, përfundon reagimi i KBI-së në Vushtrri.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. Ai ka thënë se “siç duket deri te mosmarrëveshja ka ardhur për shkak të moskomunikimit të duhur qytetar-KBI”.

“Qytetarët e Komunës së Vushtrrisë që nga 1 janari 2018, nuk paguajnë për shpenzime të varrimit. Këto shpenzime i mbulon Komuna. Lidhur me rastin e qytetarit Sabri Beqiri ku pretendohet se i njëjti ka paguar 417 € për varrimin e nënës, sot kam takuar udhëheqësit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri ku më është sqaruar se komuna ka kryer të gjitha obligimet e parapara. Gjithashtu në KBI më njoftuan se paratë të cilat i ka paguar qytetari Sabri Beqiri, në emër të anëtarësisë, i janë kthyer pasi është evidentuar si rast skamnor. Refuzimi i kryerjes së shërbimeve të varrimit për qytetarët, aq më tepër rastet në nevojë është i pa pranueshëm dhe kundër praktikave të bashkësive fetare në Kosovë. Këto të fundit janë shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare dhe solidaritetit në vend dhe si të tilla duhet të dëshmohen e të çmohen vazhdimisht. Rasti i Sabri Beqiri dhe afër 100 familje tjera në Vushtrri ndihmohen rregullisht nga KBI me miell dhe pako tjera ushqimore në kuadër të programeve humanitare. Si duket deri te mos marrëveshja për pagesën prej 417€ ka ardhur për shkak të moskomunikimit të duhur qytetar-KBI. Komuna e Vushtrrisë gjithnjë do të mbetet në shërbim të qytetarëve dhe të ofroj përkrahje pa rezervë brenda mundësive që ka”, ka shkruar ai në Facebook.