Republika e Togos figuron ende në listën zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si shtet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Një ditë më parë, tërheqjen e njohjes së Togos e konfirmoi ministrja Donika Gërvalla. Sipas saj, Togo e ka tërhequr njohjen më 2019.
“Shumë shkurt, në fund të një dite të ngjeshur me plot takime pozitive për Kosovën dhe rrugën e saj euroatlantike: Të gjithë të ekzaltuarve rreth “çnjohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiqit dua t’ju rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiqit dhe Vuçiqit, jo vetëm rreth “çnjohjeve”. Të dhëmbin sytë kur sheh se sa shumë përjargen disa, sa herë që Sllobo i Vogël përpiqet t’i japë një shqelm Kosovës. Kosova do ta fitojë betejën e saj sot, ashtu siç e ka fituar më 1999. Me mençuri, trimëri, guxim, sakrificë e përplot miq e aleatë anembanë botës së lirë dhe demokratike. Dhe Serbia përsëri do të humbasë, siç ka humbur më 1999, sepse e vërteta gjithmonë fiton mbi gënjeshtrën. Daçiqi, Vuçiqi dhe të gjithë djelmoshat e tjerë të Kasapit të Ballkanit ndoshta edhe mund ta fitojnë ndonjë sprint, por Kosova dhe qytetarët e saj përfundimisht do ta fitojnë maratonën, siç e kanë fituar në vitet e 90-a. Në mos për asgjë tjetër, atëherë për hir të sakrificës së dhimbshme dhe kolosale në rrugën tonë drejt lirisë”, shkroi Gërvalla në Facebook të hënën mbrëma.
Por ministrja Gërvalla, të martën, ka heshtur në lidhje me listën zyrtare të njohjeve.
Nga Ministrja e Punëve të Jashtme nuk u janë përgjigjur interesimit të KOHËS lidhur me numrin e saktë të njohjeve, e as për arsyen pse Togo figuron ende te shtetet që kanë njohur pavarësinë.
Akri Cipa, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, vlerëson se Kosova duhet të jetë më aktive për të siguruar njohje të reja.
“Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës duhet të ketë një qasje shumë më të hapur në raport me të gjitha këto zhvillime. Nuk mjafton vetëm mohimi ose kundërshtimi i veprimeve të Serbisë. Mendoj se është e nevojshme të kenë një qasje shumë më proaktive, një tablo më të qartë se pse secila prej këtyre marrëdhënieve ka rëndësi dhe pse thellimi i marrëdhënieve të reja me shtete e ndryshme ka rëndësi”, tha Çipa.
Pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se rreth 10 shtete kanë tërhequr njohjen, Kosova i ka hedhur poshtë përmes diplomatëve të saj.