Arbëri

Katër laboratorë privatë në Pejë kryejnë testime për COVID-19, QMF-ja s’dihet kur do të nisë

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë ende nuk kanë filluar me testimin serologjik të qytetarëve, ndërsa as ekzekutivi nuk ka nisur ndonjë procedurë për blerje të testeve.

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, ka thënë se komuna është në pritje të përgjigjes nga Ministria e Shëndetësisë, nëse do t’i furnizojë me teste serologjike.

E nëse kjo nuk ndodh, atëherë komuna, siç tha ai, do të nisë procedurat për blerjen e testeve serologjike dhe për blerjen e tyre komuna ka ndarë 50 mijë euro, raporton KOHA.

E derisa të mos nisin testimet serologjike falas në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, këto testime të qytetarëve, nëse kanë qenë të infektuar me Covid-19, aktualisht janë duke i kryer katër laboratorë privatë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë me çmime prej 20 deri në 50 euro.

Laboratori i parë që ka nisur këto testime në Pejë, para dy javësh, është laboratori Biohit, pronari i të cilit, Albert Rexhaj, dy ditë pasi ishte licencuar për këto testime, ka vdekur nga Covid-19.

“I kemi dy metoda që i punojmë këtë test. E para është metoda ECLIA, është aparatura gjermane Roche, e cila e punon këtë analizë, që kushton 30 euro. Metoda tjetër është me VIDAS me metodën ELVA. Kjo është 50 euro”, ka thënë Blend Sahatçiu, përgjegjës i këtij laboratori.

Në laboratorin tjetër “Biolab Zaf”, treguan se testi IgG dhe IgM bashkë kushtojnë 40 euro, kurse ndaras 25 euro. Kurse në laboratorin “Ndriçimi”, testi me metodën ECLIA kushton 30 euro, ndërsa me metodën ELVA 50 euro.

E çmimin më të lirë për përcaktimin e antitrupthave të Covid-19 IgM dhe IgG, në Pejë e ofron laboratori “Etika”, pronë e dy mjekeve të biokimisë klinike.

Të dy testet ato i ofrojnë me çmim të përbashkët prej 20 eurosh, duke lënë jashtë përfitimet e mundshme nga këto testime.

“Pse 20 euro? Tu e pa gjendjen e rëndë në Kosovë. Tu e pa pandeminë që e ka përfshirë botën e në mesin e tyre edhe Kosovën. Kësaj radhe kemi vendos me shkua me çmimin minimal. Mos mu dëmtua aspak për veti, por njëkohësisht mos me shfrytëzua prej pacientave çmimin në këtë gjendje kaq të rëndë, jemi shkuar me çmimin minimal 20 euro”, është shprehur Haxhije Hasani nga ky laborator.

Të katër këta laboratorë në Pejë, rezultatet e këtyre testimeve i japin brenda dite apo 24 orëve, kurse asnjëri prej tyre nuk kryen testimin me metodën PCR, që përcakton nëse virusi është aktiv.