Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Katër ditë para vendimit të Speciales, marshohet nën moton “Kosova po pret”

“Kosova po pret”

“Kosova po pret” është motoja e marshit që do të organizohet në Prishtinë më 12 shtator, katër ditë para se Gjykata Speciale të marrë vendim për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë për media, përfaqësues të platformës “Liria ka Emër”, kanë shpalosur disa aktivitete që do t’i paraprijnë dhe pasojnë marshit.

“Dhe për 6 vite e kemi parë të gjitha aktakuzat e Prokurorisë kanë qenë të paqëndrueshme dhe janë rrëzuar një nga një. Por, 16 shtatori duhet të jetë përfundimi i kësaj sage të errët. Dhe ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre. Jo duke paragjykuar vendimin e drejtësisë dhe jo duke ndërhyrë në procesin gjyqësor, por duke e bërë të dëgjueshëm zërin qytetar për drejtësi, dinjitet, kujtesë dhe respekt ndaj historisë sonë”, ka thënë Eliza Hoxha.

Hoxha tregoi se nga nesër fillojnë dy aktivitete, numërimi mbrapsht deri më 16 shtator dhe “Netët e lirisë”.

“Aktiviteti i parë fillon nesër, në ora 10:00 në Prishtinë. Do të vendosim një countdoën – numërim mbrapsht, i cili do të numërojë kohën deri më 16 shtator, në ora 10:00, kur pritet seanca e fundit e përmbylljes së procesit në Hagë. I njëjti aktivitet do të jetë i shtrirë në të gjitha komunat e Kosovës. Çdo orë që kalon do të na kujtojë se Kosova po pret. Pret drejtësi. Pret dinjitet. Pret çlirimtarët të kthehen në shtëpinë e vet. Aktiviteti ynë i dytë, NETËT E LIRISË do të zhvillohet në shtatë zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Netët e Lirisë do të jenë net të kujtesës, të rrëfimit dhe të bashkimit mes brezave për rrugën e vështirë dhe sakrificat për liri”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, Ismail Tasholli ka ftuar të gjithë spektrin politik të Republikës së Kosovës t’i bashkohet këtij marshi.

Edhe Valë reagimesh kundër vendimit të Speciales për shtyrjen e aktgjykimit Arbëri Valë reagimesh kundër vendimit të Speciales për shtyrjen e aktgjykimit

“I ftojmë të gjitha partitë politike shqiptare dhe liderët e 4 partive më të mëdha më vend, z. Kurti, z. Hamza, z. Abdixhiku, z. Gjini që të bëhen pjesë e Marshit për Liri. Kjo ftesë u drejtohet të gjithëve, pa përjashtim. I ftojmë këta të jenë të pranishëm dhe të kenë adresimin e tyre publik në Marshin për Liri.  Jo për të bërë fushatë. Jo për të ngritur flamuj partiakë. Por për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”, ka thënë ai.

Tasholli ka njoftuar se kjo platformë do të zhvillojë edhe një aktivitet në Hagë me diasporën shqiptare, më 16 shtator.

Gjykata Speciale do ta shpallë më 16 shtator në Hagë aktgjykimin në rastin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ata akuzohen për krime lufte.