David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, ka thënë se, kur bëhet fjalë për incidentin në Banjskë, paratë janë e vetmja gjuhë që Beogradi e kupton vërtet.
Sipas tij, udhëheqja e Serbisë nuk do ta ekstradojë Millan Radoiçiqin dhe as nuk do ta marrë seriozisht përgjegjësinë, përveç nëse Brukseli i lidh qartë fondet e BE-së dhe progresin e anëtarësimit me hapa konkretë në këtë çështje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kjo nuk do ta detyronte domosdoshmërisht [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq të bënte diçka, por do t’i krijonte Serbisë kosto materiale, nëse ai nuk do të vepronte”, thotë Kanin në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Më 24 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviqin dhe Vlladimir Tolliqin për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërsa Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim.
Kanin nuk ka shprehur pritjen që presidenti serb ta dorëzojë Radoiçiqin.
“Ai nuk mund ta dorëzojë Radoiçiqin, sepse nëse e bën këtë, do të përballej me probleme serioze nga krahu i tij nacionalist. Sipas meje, roli i ndjenjave nacionaliste në Serbi – si një shtyllë e rëndësishme e mbështetjes për Vuçiqin – është nënvlerësuar dhe nuk është kuptuar sa duhet, në krahasim me vëmendjen e madhe që u është kushtuar studentëve dhe krahut civil të opozitës ndaj Vuçiqit”, ka thënë ai. “E përsëris se evropianët duhet ta kushtëzojnë përparimin e mëtejshëm të Serbisë me dorëzimin e Radoiçiqit, për shkak të seriozitetit të incidentit në Banjskë, i cili, qartazi, ka përfshirë pajisje ushtarake serbe, nëse jo edhe personel ushtarak serb”.
Ai ka insistuar se pavarësisht nëse Vuçiq e ka ditur ose jo për organizimin e sulmit në Banjskë, ai mban përgjegjësi “për atë që vjen nga territori i tij”.
“Ai është president i Serbisë, dhe pajisje të ushtrisë serbe janë përdorur në këtë përpjekje për të bërë çfarëdo që ka qenë synimi – destabilizimi i zonës, marrja e kontrollit të saj, apo çfarëdo tjetër”, ka thënë profesori Kanin.
Ai ka folur edhe për kushtëzimin e Kosovës për ta vazhduar dialogun me Serbinë, vetëm pas ekstradimit të Radoiçiqit. Ka vlerësuar se meqë nuk ka dialog aktualisht, nuk ka as kosto reale për këtë qëndrim.
Kanin ka theksuar se aktualisht nuk ka dialog Kosovë-Serbi, pasi ka vlerësuar se të dyja palët nuk pajtohen për çështjen kryesore, që është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Këtë e ka quajtur si pikë qendrore.
“Gjithçka tjetër sillet rreth kësaj pike qendrore”, ka thënë ai. “Çështja e Radoiçiqit është serioze, sepse incidenti në Banjskë ka qenë i dhunshëm dhe është veçuar si një përpjekje serioze për të destabilizuar situatën në veri të Kosovës. Por, pavarësisht seriozitetit të incidentit, ai nuk ka një ndikim të madh në çështjen qendrore të dialogut, që është kërkesa e BE-së për krijimin e një organi që Kurti argumenton – dhe unë besoj me të drejtë – se do të shndërrohej në një strukturë nën ndikimin e Serbisë, dhe jo në një pjesë të integruar të sistemit politik të Kosovës”.
Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023, dhe dhjetëra persona të tjerë të akuzuar nga autoritetet e Kosovës janë në arrati.