Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjakovës, Teki Shala, ka qenë drejtor i Buxhetit dhe Financave në Qeverinë Komunale të drejtuar nga Mimoza Kusari e Alternativës, nga viti 2014-2017 derisa Alternativa dhe LDK-ja po bashkëqeverisnin.
Tani ai do ta sfidojë ish-shefen e tij dhe mendon se do ta mposhtë atë. Pozitën e mëhershme e sheh si mundësi për t’ia ditur dobësitë Kusari-Lilës.
"Ia njoh dobësitë e saj dhe ato do t'i shfrytëzojë për ta mundur në garën e 17 tetorit", ka thënë Shala për KOHËN.
Shala ka potencuar se i respekton dy rivalët kryesor, Ardian Gjinin e AAK-së dhe Mimoza Kusari-Lilën e VV-së, dhe nga ta pret respekt të ndërsjellë.
"Unë i respektoj rivalët dhe duke i njohur për së afërmi, pres që kjo garë të jetë fer dhe demokratike me tendencë që në raste të caktuara të ashpërsohet nga rivalët, Mimoza dhe Ardiani, por shpresoj që do të jetë një garë interesante dhe qytetari është ai që do të jep verdiktin e tij", ka theksuar ai.
Qëllimi i tij thotë se është kthimi i LDK-së “aty ku e ka vendin”
"Unë i kam hyrë kësaj gare me synimin që ta rikthej LDK-në aty ku e kishte dhe e ka vendin, si parti e parë, por jam i vetëdijshëm që nuk do të jetë lehtë. Unë do të jem i hapur me qytetarët duke iu ofruar alternativë në qeverisjen e komunës, duke përdorur përvojën time në qeverisjen lokale", shprehet ai.
Kandidimi i tij për kryetar të Gjakovës, Shala thotë se lidhet ngushtë me aktivitetin brenda partisë. Thekson se alternativa e tij e qeverisjes do të jetë "më ndryshe se deri me tani".
"Duke shfrytëzuar kapacitetin tim politik dhe profesional dhe duke bashkëpunuar ngushtë me profesionistë të fushave të ndryshme, do të ofroj një qeverisje ku qytetari do të jetë i pari dhe i fundit në fokus të plotësimit të nevojave dhe zgjidhjes së kërkesave të tyre. Unë nuk do të merrem me politika të mëdha ashtu siç merren rivalet e mi por do të ofroj zgjidhje konkrete në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetareve dhe bizneseve të komunës sonë.", shprehet kandidati i LDK-së për Gjakovën.
Në Qeverinë Kurti I, Shala ka qenë i emëruar në pozitën e Drejtorit në Bordin e përkohshëm të Telekomit.