Rinumërim të tërësishëm po kërkojnë disa kandidatë për Kuvend Komunal të Podujevës të partive të ndryshme politike në këtë komunë. Ata po dyshojnë se votat e 17 tetorit janë keqpërdorur nga komisionerët e partive politike. Sipas tyre, ka kandidat për Kuvend Komunal që nuk i figuron askund as vota e vet.
Iniciativën për këtë e ka marrë, Argjend Softolli, kandidat për KK të Podujevës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai është duke mbledhur nënshkrime edhe nga kandidatë tjerë për Kuvend Komunal nga të gjitha partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale.
“Iniciativa është e mbështetur nga të gjithë kandidatët pothuajse të secilit subjekt politik, nga PDK Argjend Softolli, Korab Zhugolli, Burim Januzi, Isuf Osmani, nga LVV Xhevdet Maloku, Doruntina Hasani dhe disa të tjerë, nga AAK Altin Salihu, Egzon Bejta, etj. Votat janë keqpërdorur më së shumti në KKZ, në fletët zyrtare mundë të shihet ndërhyrje nga ana e dorës së njeriut duke rregulluar votat për një kandidat të caktuar, mungojnë shumë FPR (Formulari i Përputhjes së Rezultateve v.j.) zyrtare, raportet e vëzhguesve tanë dallojnë shumë nga raportet e FPR-së”, ka thënë për KOHËN Softolli.
Kjo ankesë, sipas tij, do t’u dërgohet për nënshkrim edhe të gjithë kandidatëve për kryetar të Podujevës. Por, kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Podujevë, Islam Demolli, e ka mohuar se mund të ketë pasur keqpërdorim të votës nga ana e këtij institucioni. Sipas tij, një kopje e formularëve shkon në KKZ dhe dy të tjerë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Anëtarët e këshillave të vendvotimeve nuk i përzgjedh KKZ-ja. Çdo subjekt politik i cakton ata vetë. Asnjë ankesë nuk e kemi deri tash për keqpërdorim të votave”, ka thënë Demolli për KOHËN.
Arsyeja pse nuk i gjejnë votat, ai thotë se është për shkak të numrit të madh të fletëvotimeve të pavlefshme, që sipas tij, votuesit nuk kanë ditur si të votojnë. Demolli ka thënë se secili ka afat të ushtrojë ankesë brenda 24 orëve pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së.
Dyshime për keqpërdorim të votave ka edhe kandidatja e VV-së për këshilltare komunale, Doruntina Hasani. Ajo ka theksuar se të dhënat në Formularët e Përputhjes së Rezultateve dallojnë nga ato të vëzhguesve.
“Ne po dyshojmë se keqpërdorimet janë bërë nga komisionerët, sepse ndryshe janë raportimet e vëzhguesve, ndryshe raportimet e FPR-së. Ka edhe raste kur vota kanë më shumë kandidatët se partia politike”, ka thënë ajo.
Të pakënaqur janë edhe këshilltarë të LDK-së në këtë komunë. Kandidati për Kuvend Komunal nga kjo parti, Granit Ajvazi, ka thënë se duhet të ketë rinumërim të tërësishëm të votave.
“Unë jam shumë i dëshpëruar me procesin qysh ka shkuar, jo në parti, por nga komisionerët, për të cilët dyshoj se në shumë vende e kanë dëmtuar votën. Unë nuk e kam nënshkruar deklaratën e përbashkët pasi nuk besoj se mund të arrijmë diçka, por rinumërim kisha dashtë të ketë”, është shprehur ai.
Por, më i ashpër ka qenë në një status në Facebook.
“Sugjerim për të gjithë që kandidojnë për Asamble Komunale, mos loboni, mos kërkoni votë, mos u mundoni me i bindë për qëllime politike, mos shpalosni program kur e keni shumë më të thjeshtë: Shkon i gjen 3-4 komisionerë, bashkëpunon me disa servilë partiakë edhe të tjerët veç mundohen kot, sepse nuk të dalin as votat e nënës e t’babës e lëre më shumë. Në Podujevë duhet rinumërim, dënim i komisionerëve keqbërës si dhe përjashtim i kandidatëve që kanë bë manipulime”, ka shkruar Ajvazi.
Ndërkohë, Almedina Cakiqi, kandidate e AAK-së për Kuvend Komunal të Podujevës nuk e ka gjetur as votën e vet. KOHA nuk ka arritur gjatë ditës të kontaktojë me Cakiqin, por në Facebook ajo ka kërkuar që drejtësia të veprojë.
“Ky është vendvotimi ku unë Almedina Cakiqi dhe familja ime kemi votuar, as vota ime nuk figuron askund! Drejtësi të lutem vepro!”, ka shkruar ajo.
Edhe Egzon Bejta, nga e njëjta parti ka thënë se kanë pranuar shumë ankesa nga kandidatët për Kuvend Komunal të Podujevës.
“Pas një numri tejet të madh të ankesave dhe raportimeve nga ana e komisionerëve, por edhe kandidatëve për asamble për parregullësi, si dhe shqetësimeve nga ana e votuesve ndiej përgjegjësinë dhe obligimin moral dhe profesional të sqaroj se do të kërkojmë hapjen e kutive në të gjitha vendvotimet në Podujevë. Pas koordinimit me të gjitha strukturat jemi mobilizuar që t’i aktivizojmë të gjitha mekanizmat e nevojshme që të realizohet rinumërim i plotë në Podujevë”, ka shkruar Egzon Bejta në Facebook. “Të gjitha këto veprime do t’i kryejmë në bashkëpunim të ngushtë me organet kompetente të drejtësisë. Ju garantoj se do të angazhohemi me të gjitha kapacitetet që vullneti i qytetarëve të shkojë në vend”.