Sot është realizuar kampanja vetëdijesuese kundër përdorimit të telefonave gjatë vozitjes e cila shërben si një thirrje e radhës për ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
EC Ma Ndryshe ka organizuar Shkollën e Aktivizmit me nxënës të shkollave të mesme nga ku edhe ka dalë si shqetësim përdorimi i telefonave nga ngasësit gjatë vozitjes, duke cenuar sigurinë në trafik. Si rrjedhojë e kësaj ka dalë edhe ideja për realizimin e kësaj kampanje vetëdijesuese nga nxënësja Kleita Koci për kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
Ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim me KVRL- Gjakovë dhe qytetarët e qytetit të Gjakovës, me ç’rast është bërë shpërndarja e fletushkave që përmbajnë mesazhe sensibilizuese dhe statistika të aksidenteve që kanë ndodhur që nga viti 2017 në rajonin e Gjakovës dhe në tërë Kosovën.
“Bazuar në statistikat e marra nga Policia e Kosovës vërehet një rënie në numrin e aksidenteve por prapë numri i atyre me fatalitet në trafik vazhdon të jetë shqetësues. Në rajonin e Gjakovës gjatë vitin 2017 kanë ndodhur gjithsej 1094 aksidente, 11 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet me 14 persona të vdekur ndërsa në periudhën janar-qershor 2018 kanë ndodhur 372 aksidente, 4 prej tyre fatale me 4 persona të vdekur. Sa i përket territorit të Kosovës gjatë vitit 2017 kanë ndodhur gjithsej 17695 aksidente ku 122 prej tyre kanë qenë fatale dhe kanë rezultuar me 137 persona të vdekur. Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti kanë ndodhur gjithsej 7003 aksidente ku 41 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet dhe me 52 persona të vdekur”, thuhet në komunikatën e EC Ma Ndryshe.
Kjo kampanjë shërben si thirrje për vozitësit që të shtojnë kujdesin në trafik duke mos përdorur telefonat, duke respektuar rregullat e komunikacionit, të vendosin rripin e sigurisë dhe ta përshtatin shpejtësinë sipas shenjave të urdhrave të prera.
Edhe
326 gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes vetëm në janar në Ferizaj
Në krahasim me vitin e kaluar, vërehet një rënie në numrin e aksidenteve të trafikut ndërsa rritje në numrin e tiketave të shqiptuara andaj edhe ky aktivitet shërben edhe si një thirrje ndaj institucioneve që të vazhdojnë të ndërmarrin hapa konkret në shtimin e sigurisë në komunikacion.
Ky grant është financuar nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).