Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se Serbia duhet të heqë urrejtjen dhe riciklimin e temave të viteve të ’90-a në dialogun me Kosovën. Pas fjalimit të Vuçiqit për çështjen e Kosovës, Kamberi i ka bërë thirrje që Serbia të pranojë se ka vrarë shqiptarë dhe se forcat serbe kanë kryer e organizuar sulme mbi shqiptarët.
Si përgjigje, Vuçiqi ka thënë se “Kamberi s’dëshiron të pranojë krimet e shqiptarëve”.
“Si shqiptar, shoh perspektivë në Bashkimin Evropian, por edhe për normalizim raportesh me Serbinë. Formula për bashkëjetesë në Ballkan është mirëkuptimi. Gjithçka tjetër çon në luftëra të përgjakshme”, ka thënë Kamberi, duke shtuar se “Serbia duhet të kuptojë që po negocion me njerëz fëmijët e të cilëve janë vrarë nga forcat serbe”.
Në përplasjen me Kamberin, Vuçiqi ka thënë se “Serbia është për paqe dhe se për këtë s’do t’i kërkojë falje askujt”.
“As Kurtit, as askujt që vjen nga Prishtina. Serbia s’do të lodhet kurrë nga Kosova”, ka thënë tutje Vuçiqi.