Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për veprime pa peshë strategjike, derisa e ka quajtur “hajgaregji hesapi” dhe e ka akuzuar për mashtrim.
Në një status në Facebook, deputetja e partisë opozitare ka thënë të dielën se pjesëmarrjet e Kurtit nëpër konferenca ndërkombëtare dhe marrëveshje e memorandumet “nuk e veçojnë asnjë për ndonjë peshë a rëndësi strategjike”.
Sipas saj, Kosova s’e ka arritur asnjë investim të huaj në qeverisjen e Kurtit, e asnjë njohje.
“As edhe një njohje e re nga asnjë vend. As edhe një paralajmërim për ndonjë pritje për vetëm një njohje, kudo qoftë. Për peshën e tyre ja vlen t’ia kujtojmë, që përderisa qeveria pararendëse mori njohjen nga Izraeli, qeveria Kurti në afro 3 vite, rikthej njohjen e Republikës së Palaut. Urime. Për 100 njohjet tjera, as mos të flasim. Me këtë qasje, qeverisë breshkë, do t’i duhej një milenium t’i arrijë. Kjo qeveri me taktizimet dhe mashtrimet e saj, ka arritur që aleatin numër 1 në botë të Republikës së Kosovës, SHBA-të, t’i irritojë deri aty sa të marrin masën e largimit të FSK nga ’Defender Europe’”, ka thënë ajo.
Deputetja Kadrijaj ka shtuar se me raportet e tanishme me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE “do të vendnumërojë pa përgjigje për vite me radhë”.
“Kurti përmend takimet e MPJD-së, pjesëmarrjen në konferencat ndërkombëtare, marrëveshjet dhe memorandumet. Nuk e veçon as edhe një prej tyre, për ndonjë peshë a rëndësië strategjike. Kjo sepse ato nuk kanë. Asnjë investim i huaj strategjik, zero. Pra i referohet si sukses, asaj qe njihet si ‘Business as Usual’ i MJPD-së. Hajgaregji hesapi! Me këtë qasje kuturu, hapja e negociatave do të mund të ndodh kur vendet fqinje t’i kenë mbyllur ato. Ndërroje pllakën o kryeministër, ta ka djeg dialogu komplet. Mashtrimi brina nuk ka”, ka thënë Kadrijaj.