Arbëri

Kaçaniku për ngritjen e çmimeve: Qeveria ta ulë akcizën e naftës

Kreu i Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku, ka thënë se Qeveria e Kosovës mund të reagojë ndaj ngritjes së çmimeve të konsumit javëve të fundit, duke ulur fillimisht akcizën e naftës.

Kaçaniku ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se akciza e naftës aktualisht është 60% dhe se duke e ulur atë, mund të ketë ulje edhe të çmimeve të produkteve të tjera.

“Shteti ka mundësi dhe hapësirë për të vepruar dhe po e nisi nga propozimi për relaksimin e çmimit të naftës. Akciza mbi produktet e naftës është mbi 60% dhe qeveria mund të veprojë këtu dhe ta bëjë një ulje”, ka thënë Kaçaniku.

Ai ka thënë se vazhdimisht kanë informacione se në vendet e Bashkimit Evropian, çmimet e shumë produkteve janë më të ulëta se në Kosovë, duke shtuar se me çmimet e shumë produkteve në Kosovë abuzohet në bazë të peshës, vëllimit apo përbërësve të tyre.

I pyetur ndërkaq për mundësitë e konsumatorëve për ankesa në raste të tilla, Kaçaniku ka thënë se konsumatori po e humb besimin për shkak të procedurave gjyqësore ndaj lëndëve.

“Konsumatori po e humb besimin, sepse edhe nëse dikush ankohet te ne, ne ankohemi te Inspektorati, Inspektorati e procedon në gjykatë dhe aty ngecin”, ka thënë ai.

Sipas tij edhe kontrolla është e limituar dhe se disa politikanëve po u konvenon që të ketë sa më pak inspektorë për shkak se janë të lidhur vetë me bizneset.

Kaçaniku ka bërë thirrje po ashtu që të informohen dhe edukohen konsumatorët pasi siç ka thënë, konsumatori i tillë bëhet krah i fortë për shtetin.

“Qytetari dhe konsumatori i emancipuar është krahu më i fortë i shtetit”, është shprehur ai.