Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ekonomisti Kadriaj: Akciza e naftës të ulet për 50% për periudhë të caktuar

Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë se Qeveria duhet ta ulë të paktën për 50% akcizën e naftës për një periudhë disa mujore.

Kadriaj ka thënë në emisionin “Sot” në KTV të martën, se Qeveria duhet të reagojë sa më shpejtë ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimit të naftës, pasi siç ka thënë, nga kjo po rwndohet vetëm qytetari.

Ai ka thënë po ashtu se edhe nëse ulet akciza për 50%, Qeveria nuk do të funksionojë me humbje.

“Qeveria duhet të marrë masa në pjesën e uljes së akcizës. Në këtë kohë vlerësoj se ulja e akcizës për një kohë të caktuar është stimuli më i mirë. Edhe nëse ulet për 50% prapë Qeveria i nxjerr ato të hyra që i ka marrë para 1 viti e jo në këtë kohë të fitojë Qeveria. Nëse qeveria nuk merr masa te ulja e akcizës, barra kalon te qytetari”, ka thënë Kadriaj.

Lidhur me deklaratën e ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili ka thënë se thirrja për ulje të akcizës të naftës është thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve, Kadriaj ka thënë se kjo nuk qëndron, pasi sipas tij, qeveria ka mekanizma të kontrollit të naftëtarëve.

“Këta nuk e kanë sensin e Qeverisë, pasi edhe sillen sikur të jenë shoqatë e jo qeveri. Edhe në momentin që e ulë për 50% akcizën, shteti prapë e ka mekanizmin e kontrollit, e ka inspektoratin që kontrollon. Në momentin që gjendet në terren një biznes që nuk e ka ulë çmimin, ti e ke mekanizmin që ta gjobitësh. Qeveria le ta fiton atë fitim që e ka pasur para një viti, sepse tani për tani po fiton qeveria po fiton krahas bizneseve dhe kush po humb, qytetari. Kjo qeveri përveç zhurmë nuk ka marrë asnjë hap në drejtim të rritjes së mirëqenies së qytetarit”, është shprehur Kadriaj.