Kabineti i presidentes Vjosa Osmani ka shpërndarë të shtunën një deklaratë të ministrit të Financave Hekuran Murati teksa thoshte se nëse nuk zgjidhet presidenti ose presidentja e re deri më 4 mars duhet të shpërndahet Kuvendi.
“Më 4 mars duhet me e zgjedhë presidentin ose presidenten e re. Nëse nuk zgjidhet duhet me u shpërnda kuvendi apo jo”, ishte shprehur Murati javë më parë, sipas videos së publikuar në rrjete sociale nga këshilltaret e Osmanit, Donika Kadaj dhe Egnesa Vitia. Publikimin e shpërndau edhe shefja e stafit, Learta Hollaj.
Deklaratë të ngjashme i ka publikuar edhe zyrtari i lartë ekzekutiv, Ridvan Haliti, kryeparlamentares Albulena Haxhiu. Aty ajo dëgjohet teksa thotë se afati kushtetues për “zgjedhjen e presidentit është 5 marsi”.
Videot po shpërndahen në kohën kur Murati dhe zyrtarë të tjerë të Vetëvendosjes e kanë kundërshtuar dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit.
Osmani të premten nxori dekretin për shpërndarjen me arsyetimin se deri më 5 mars ka qenë afati kushtetues për të zgjedhur presidentin e ri. Sipas interpretimit të saj, neni 86 i Kushtetutës thekson se Kuvendi duhet që ta zgjedhë presidentin e ri jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual (4 prill 2026, në rastin e Osmanit).
Ndërkaq akterë të Vetëvendosjes përfshirë kryetarin e saj Albin Kurti kanë përmendur nenin 82 për shpërndarjen e Kuvendit që thekson se ai mund të shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës nuk zgjidhet presidenti i Republikës. Sipas tyre, ky afat ka nisur të rrjedhë në mbrëmjen e 5 marsit kur Kuvendi u mblodh por në mungesë kuorumi nuk zhvilloi asnjë rund votimi për të zgjedhur presidentin.
Edhe
Osmani në Kushtetuese: Edhe kryeministri tha se 5 marsi ishte data e fundit për zgjedhjen e presidentit
Murati u është përgjigjur këshilltarëve të Osmanit. Ai ka thënë se deklarata e tij e shpërndarë nga këshilltarët e presidentes vlen për situatën pasi të jenë zhvilluar tri runde votimi dhe asnjëri kandidat nuk i merr 61 vota.
“Mirëpo dekreti i lëshuar dje nuk është marrë mbi bazën e Nenit 86 (6), por mbi bazën e Nenit 82 (1.3). E Neni 82 (1.3) i jep 60 DITË afat që nga nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit, para se të shpërndahet Kuvendi. Prandaj në mënyrë që dekreti të qëndronte, NUK do duhej të merrej në ditën e dytë, por tek pasi të ishin konsumuar 60 ditë, siç e përcakton Kushtetuta. Kësisoj, dekreti është në shkelje të Kushtetutës”, ka shkruar ai.
Vetëvendosje një ditë më parë paralajmëroi se do ta çojë dekretin në Gjykatën Kushtetuese.
-
Osmani: Kur e kam informuar Kurtin se i kemi 82 vota, më ka thënë tash s’i ki votat e VV-së
-
Osmani s'e komenton aktgjykimin e Kushtetueses
-
President brenda 34 ditësh ose zgjedhje më së largu më 7 qershor
-
Rrustemi: 5 marsi ishte pritje legjitime për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi u shpërnda arbitrarisht