Personi për të cilin u raportua të jetë alivanosur gjatë ditës së sotme në rrugën Gjilan – Ferizaj, mësohet se ka ndërruar jetë.
Në kontakt me Policinë Rajonale të Gjilanit, portalit Koha.net i është konfirmuar se i ndjeri ka ndërruar jetë rreth orës 8 të mëngjesit të sotëm.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë në Gjilan, ka thënë se i ndjeri ka pësuar infarkt dhe për pasojë ka ndërruar jetë.
“Viktima është dërguar në Spital, ndërsa atje kanë konstatuar se ka qenë pa shenja jete”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, viktima është shqiptar, me prejardhje nga Maqedonia, i vitit të lindjes 1954, ndërsa në momentin kur është gjetur skaj rrugës, i ndjeri ka pasur një kanellë në dorë, që sipas Hashanit, dëshmon se ka viktima vuante nga sëmundja e zemrës.
Hashani ka mohuar që vdekja e të moshuarit të ketë ardhur si pasojë e të nxehtit.
Pas konstatimit se viktima ka ndërruar jetë, trupi i është dorëzuar familjarëve.
I moshuari alivanoset në rrugë nga i nxehti, askush s’e ndihmon
Dita e sotme ka qenë prej ditëve më të nxehta të këtij viti gjë që detyroi Komunën e Prishtinës të lëshonte një njoftim për qytetarë nga të cilët kërkohej që të shmangin lëvizjet e panevojshme në qytet nga ora 10:00 deri në 17:00, sidomos për personat e moshuar, shtatzënat dhe të sëmurit me sëmundje kronike e sidomos me ato kardiovaskulare.
E si pasojë e kësaj vape raportohet të kenë kërkuar ndihmë mjekësore një numër i konsiderueshëm i qytetarëve në mbarë vendin.
Por, një video që po qarkullon në internet ka ngjallur zemërim të madh tek komentuesit e rrjeteve sociale.
Kjo pasi, siç shihet në video, një person i moshuar, derisa po ecte në trotuar të një rruge diku në Gjilan (siç raportohet), është rrëzuar për toke dhe, edhe përkundër lëvizjes së shumtë të veturave, por edhe të disa qytetarëve, askush nuk e mori mundin që t’i dilte në ndihmë.
Në fillim shihet një i ri që i afrohet atij dhe tenton të ndalojë ndonjë makinë që t’i ofrojë ndihmë të moshuarit, mirëpo askush nuk lodhet që të merret me të. Më pas, ikën edhe i riu dhe i alivanosuri vazhdon të qëndrojë i shtrirë në tokë për rreth 4 minuta.
(për shkaqe të ndjeshmërisë së rastit, Koha.net e ka fshirë videon)