Eksperti amerikan Edward P. Joseph në intervistë për Deutsch Welle ka deklaruar se nisma “Open Balkan” minon Procesin e Berlinit.
Joseph thotë se “Open Balkan” nuk është vetëm një shpërqendrim nga problemet thelbësore të rajonit, por është një rrezik që sipas tij, mund të çojë në përkeqësimin e këtyre problemeve politike.
“Anëtarët e Senatit të SHBA-së sapo kanë prezantuar legjislacionin për Ballkanin, që përfshin propozimin për ‘vlerësimin e nismave bashkëpunuese rajonale, siç janë nisma ‘Open Balkan’ dhe ‘Tregu i Përbashkët Rajonal i Ballkanit Perëndimor’. Rreziqet e ‘Open Balkan’ nuk janë kuptuar mirë, edhe pse ato janë të qarta për shumë njerëz në Ballkan. Po, unë kam shërbyer për rreth 12 vite në rajon, duke përfshirë vitet e luftës në të gjitha vendet e konflikteve. Si shumë të tjerë në rajon, unë vërej dinamikë e zhvillime, veçanërisht në diskursin e nacionalizmit të ‘Serbisë së Madhe’, të çuar përpara nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe të deleguarit te tij, nën flamurin "Bota Serbe”. Nisma ‘Open Balkan’ nuk është vetëm një shpërqëndrim nga problemet thelbësore të rajonit, të cilat janë politike, por në fakt është një rrezik që mund të çojë në përkeqësimin e këtyre problemeve politike”, ka thënë Joseph.
Ai ka shtuar se nisma në vetvete, pavarësisht motiveve ose qëllimeve, është shumë problematike.
“E kam shprehur edhe më herët se pse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e pranojnë ‘Open Balkan’: sepse ato nuk kërcënohen drejtpërdrejt nga ambiciet nacionaliste serbe, të shpërfaqura nga Vuçiç. ‘Bota serbe’ nuk ka të bëjë me Shqipërinë ose Maqedoninë e Veriut. Në mënyrë ekstravagante, Vuçiq u thotë maqedonasve se ai nuk e sfidon gjuhën e tyre (siç bëjnë bullgarët), por Vuçiqi mbështet përpjekjet që minojnë identitetin e Malit të Zi. Është e qartë si kristali: nacionalizmi serb është kërcënim për malazezët, jo për maqedonasit, edhe pse këta të fundit e kuptojnë mjaft mirë se si ‘Open Balkan’ do ta përforcojë nacionalizimin serb të Vuçiqit”, është shprehur ai.