Arbëri

Vetëvendosje vendos ilegalisht pllakë përkujtimore për të pagjeturit

Lëvizja Vetëvendosje ka pushtetin në të gjitha institucionet qendrore, por ka vendosur që me organizim partiak ta shënojë ditëlindjen e veprimtarit të zhdukur nga forcat serbe, Ukshin Hoti. Ajo ka ngritur një pllakë përkujtimore në Kampusin Universitar, pa siguruar leje nga autoritetet. Në Vetëvendosje e kanë arsyetuar këtë veprim

Nëpërmjet një organizimi partiak dhe jo institucional, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka shënuar të premten ditëlindjen e Ukshin Hotit, aktivist politik i zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës. Në kampusin e Universitetit të Prishtinës (UP), ajo ka vendosur një pllakë përkujtimore për të zhdukurit, pa siguruar leje.

Artan Abrashi, deputet i Vetëvendosjes, ka përdorur një justifikim për këtë organizim të partisë në pushtet.

“Pa marrë parasysh se ku ndodhemi me pozicione, ne jemi qytetarë të këtij vendi. Ne i ndajmë gëzimet, ne i ndajmë hidhërimet, ne i ndajmë plagët tona së bashku dhe ajo që e bën më të vlefshme, konsideroj unë, është se është iniciativë edhe e qytetarëve, edhe e anëtarëve dhe e aktivistëve tanë”, ka thënë Abrashi.

Partia në pushtet e ka vendosur monumentin në hapësirë publike pa pasur leje nga autoritetet. Edhe për këtë deputeti Abrashi ka dhënë një arsyetim.

“Ne kemi aplikuar për leje. Çështja është ende në procedurë, mirëpo meqenëse kemi të bëjmë me datën e sotme, 17, shënon edhe këtë pjesë simbolike të ditëlindjes së veprimtarit, filozofit, shkrimtarit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, kemi bërë shpalosjen e programit dhe të gjitha këto që po i përmendim janë në procedurë dhe presim përgjigje pozitive”, është shprehur Abrashi.

KOHA e ka kontaktuar Komunën e Prishtinës dhe Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve lidhur me lejet, pronësinë e tokës ku është vendosur pllaka dhe pasojat për subjektet që ndërmarrin veprime brenda hapësirës pa pasur një leje paraprake, por këto institucione nuk kanë dhënë përgjigje të premten.

Pllaka përkujtimore është zbuluar nga Myrvete Hoti, motra e veprimtarit Ukshin Hoti, si dhe nga deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari.

Motra e Ukshin Hotit, ndonëse është shprehur e kënaqur me vendosjen e një pllake për të zhdukurit me dhunë, ka thënë se është e zhgënjyer me institucionet ndërkombëtare e vendore për moszbardhjen e rastit të të vëllait.

“Jam pak e zhgënjyer dhe e shqetësuar. Çështja e Ukshin Hotit mua më ka shqetësuar tërësisht. S’kam pritur kështu, që çështja e tij është e ndërkombëtarizuar. Edhe faktori ndërkombëtar, edhe shqiptar, edhe serb e të gjithë e dinë rastin e tij se si ka qenë, e të jetë ai i zhdukur – kur e dinë të gjithë – edhe qeveria e Beogradit e di... Nuk po mundem ta bind vetveten assesi, s’mund t’ia pranoj vetvetes se Ukshin Hoti nuk është në mesin e të gjallëve më”, është shprehur Hoti.

Veprimtari Ukshin Hoti ishte ndër të dënuarit politikë nga sistemi i Serbisë. Më 16 maj të vitit 1999, ai kishte mbaruar afatin e dënimit, të cilin e kishte vuajtur në burgun e Dubravës. Të burgosurit shqiptarë kanë dëshmuar se në përcjellje të tre zyrtarëve të sigurimit serb, Hoti ishte nxjerrë nga burgu i Dubravës, dhe prej atëherë më nuk është ditur për fatin e tij.

Në luftën e fundit ishin zhdukur 6,000 qytetarë. Prej tyre, rreth 1,600 ende figurojnë të pagjetur.