Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Jevtiq fton edhe serbët në jug të Kosovës që të largohen nga institucionet

Dalibor Jevtiq

Zëvendëspresidenti i Listës Serbe dhe kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka bërë thirrje që edhe serbët në jug të Kosovës të largohen nga institucionet e Kosovës.

Jevtiq për “Euronews Srbija”, ka thënë se këtë mendim ia kishte thënë edhe kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq.

Ai ka shprehur bindjen se siç kanë vepruar serbët në veri të Kosovës, duke u larguar nga institucionet e Kosovës, do të veprojnë edhe serbët në jug.

“Ky është qëndrimi im, ky është qëndrimi i kolegëve të mi. Unë personalisht e kam njoftuar edhe me shkrim kryetarin e Listës Serbe, z. Goran Rakiq, se vlerësojë që edhe përfaqësuesit politikë serbë, po edhe serbët në përgjithësi nga jugu i Ibrit të largohen nga institucionet, dhe kjo është një çështje që ende është e hapur. Nëse nuk ndryshon situata, nëse nuk ndryshon kursi dhe qëndrimi i Prishtinës zyrtare, dhe nuk ndalet dhuna institucionale ndaj serbëve, jam pothuajse i sigurt se të njëjtin vendim do ta marrin edhe serbët në jug të Ibrit”, tha Jevtiq.