Javën e ardhshme nis rindërtimi i Rrugës së Thethit. Lajmin e ka dhënë vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kreu i qeverisë publikoi videon e projektit në “Facebook”, ndërsa shton se do jetë një transformim në funksion të zhvillimit të integruar të Qarkut Shkodër.
Banorët e Thethit gjatë gjithë dimrit qëndrojnë të bllokuar, për shkak të rrugës skandaloze. Rruga ishte pengesë edhe për turistët e shumët, të interesuar për këtë perlë të turizmit malor.
“Javen e ardhshme… nis rindërtimi i Rrugës së Thethit, një transformim i shumëpritur nga banorët e zonës së magjishme turistike dhe në funksion të zhvillimit të integruar të qarkut të Shkodrës", shkruan Rama.
Rruga Qafë Thorë – Theth ka një gjatësi prej 16 km dhe siguron lidhje me Bogën, Qafë Thorën dhe Shkodrën.
Ajo do të lehtësojë qarkullimin edhe në periudhën e dimrit dhe garanton siguri rrugore më të lartë.
Aksi do të ketë një gjerësi asfalti 4-4.75 metra, 3 tunele 20-30 metra për mbrojtjen nga ortekët, mure pritëse me geocell dhe prej guri, sistem drenazhimi me 89 tombino rrethore dhe katrore dhe 5 prita malore.
Po ashtu parashikohet edhe rehabilitimi i qendrës së fshatit, një hapësirë prej 13 150 metër katror.
Projekti parashikon përmirësim në rrjetin qarkullues nga hyrja drejt qendrës dhe lagjeve përreth, ndriçimin e qendrës duke ruajtur natyrshmërinë dhe karakteristikat, përdorimin e materialeve ekologjike dhe karakteristike për zonën.
Po ashtu do të ndërtohet edhe një park i ri linear përgjatë lumit, 65 mijë metër katrorë, do të bëhet rehabilitimi i urës ekzistuese me gjatësi 34.91 metër.
Në hyrje të fshatit parashikohen 2 hapësira të reja parkimi, sistemim i gardheve karakteristike dhe sistem stabilizues në të dy anët e lumit.