Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Jasharaj: Qeverinë e presim edhe një javë, kemi dy kërkesa kryesore

Rrahman Jasharaj, SBASHK, Qeveria Kurti

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës i ka dhënë një javë afat Qeverisë së Kosovës për plotësimin e kërkesave të tyre, në të kundërtën ka paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve sindikale.

Ndonëse SBASHK-u kishte paralajmëruar fillimin e grevës nga data 20 prill, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për KosovaPress se Qeveria ka kohë një javë për t’i plotësuar kërkesat, në të kundërtën sindikatat do të insistojnë që të vazhdojnë me angazhime të përbashkëta.

Jashari ka shtuar se kryeministri Albin Kurti ka dëgjuar kërkesat e tyre dhe do të zhvillojë konsultime me ministrat e kabinetit qeverisës.

“Takimi që është mbajtur me kryeministrin është vlerësuar si një takim shpresëdhënës. Kryeministri ka dëgjuar me kujdes të gjitha kërkesat tona që unë jam i sigurt që edhe i ka ditur, dhe është shprehur i gatshëm që të vazhdojë me dialogun. Ai u ka thënë përfaqësuesve tanë se i duhet pak kohë që të konsultohet me ministrat e tij ngase kërkesat tona nuk janë të gjitha të adresuara në një ministri, por në ministri të ndryshme”, ka thënë Jasharaj.

Kreu i SBASHK-ut ka treguar se kërkesë e tyre është vazhdimi i ndarjes së shumës shtesë prej 100 eurosh edhe pas muajit prill, si dhe përfshirja e sindikatave në dialogun mbi Ligjin për pagat.

Edhe Jasharaj: Nëse Kurti i do shkollat me nxënës, le t’i realizojë kërkesat tona Arbëri Jasharaj: Nëse Kurti i do shkollat me nxënës, le t’i realizojë kërkesat tona

“Përfaqësuesit tonë kanë insistuar në dy kërkesa që janë kyçe, kanë insistuar që 100 euro si kërkesë e jona të vazhdojë në muajt e ardhshëm derisa nuk bëhet Ligji i pagave në bashkëpunim me sindikata. Tjetra kërkesë është përfshirja e sindikatës në dialogun e barabartë mbi Ligjin e pagave dhe të dëgjohet e të merret parasysh, e të hyjë brenda versionit final të këtij ligji”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se pas një jave do të dihet nëse Qeveria do t’i marrë seriozisht kërkesat e tyre, në të kundërtën do të ndërmerren veprime sindikale.

“Ne morëm vendim që pas një jave të kemi një takim në nivelin e njëjtë dhe të shohim nëse deklarata e Kurtit do të kthehet në realitet, apo takime të sinqerta e korrekte dhe a ka angazhime të mirëfillta për realizimin e kërkesave tona. Nëse pas një jave nuk kemi asnjë lëvizje, do ta konsiderojmë se takimi i së premtes ka qenë sa për të thënë, dhe ne pastaj si sindikata më e madhe do të insistojmë që të vazhdojmë angazhime të përbashkëta. Kjo nënkupton që të gjitha sindikatat në sektorin e vet të fillojnë me veprime sindikale. Pra, kjo javë i mbetet qeverisë të dëshmojë a e ka sinqerisht që më në fund po i kthehet dialogut, apo vetëm sa për të thënë”, ka thënë ai. /KSP/