Arbëri

Janjiq: Burokratët evropianë, të keqinformuar për prezencën ruse në Serbi

Dushan Janjiq

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd ka thënë se anulimi i takimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, për shkak të takimit të tij me një ministër rus, tregon që evropianët janë të keqinformuar për ngjarjet në Serbi dhe për praninë ruse aty.

Të premten, gjatë vizitës së Von der Leyenit në Serbi, u prit që ajo të takohej me kryeministrin e këtij shteti, Millosh Vuçeviq. Por takimi u anulua në fund, pasi Vuçeviq takoi Maksim Reshetnikov, ministrin rus të Zhvillimit Ekonomik. Sipas Janjiqit, për këtë vizitë të ministrit rus, opinioni në Serbi ka qenë në dijeni qe 10 ditë. 

Takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe refuzimin e takimit me Vuçeviqin, Janjiqi e ka parë si “lojë me dy karta” të Serbisë.

“Si fillim, më duhet të them se ky reagim ishte vërtet një reagim i Komisionit Evropian. Por nuk mund të them edhe për pjesën tjetër të vizitës së saj me Vuçiqin, sepse aty dukej si një përkrahëse e hapur e Partisë Progresive të Serbisë. Sidoqoftë, reagimi i saj ka dy gjëra: e para, ende Serbia, Vuçiqi, sepse ai e kontrollon Qeverinë, Vuçeviq është askushi. Dhe në thelb, ata po luajnë me dy karta dhe çka është më e rëndësishmja është se ata organizuan të dyja takimet në të njëjtën ditë. Dhe kjo është një shenjë e qartë për Komisionin Evropian se ata duhet të ndalen me këto politika budallaqe duke dërguar vetëm ditët e fundit politikanë të ndryshëm të Serbi si Donald Tusk apo politikanë të tjerë, duke u përpjekur kështu të bëjnë garë me Rusinë për Serbinë dhe Vuçiqin. Në fakt nuk është kjo garë për Serbinë, por për Vuçiqin. Dhe mbase kjo është edhe mirë që ndodhi”, ka thënë Janjiq në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas tij, nga vizita e Von der Leyenit, ajo dhe politikanët evropianë mund të marrin një mësim.
“Ata janë vetëm burokratë dhe jo politikanë dhe jam shumë i befasuar se sa janë të keqinformuar, sepse këtu ne e kemi ditur për vizitën e ministrit rus para dhjetë ditëve. Para dhjetë ditësh në Serbia ka pasur një numër të madh të ekspertëve dhe aktivistëve të ndryshëm nga Rusia duke përgatitur shumë aktivitete, duke përfshirë këtu edhe vizitën e ministrit rus. Ky nuk ishte një sekret. Po del që është sukses dhe befasi për Von Der Leyen dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian apo ambasadorit të BE-së në Beograd”, ka thënë tutje Janjiq.

Ai ka thënë se lidhja ekonomike e Serbisë me Rusinë shkon përtej takimit. Janjiq ka thënë se Rusia e kontrollon sektorin energjetik në Serbi dhe Serbia i ka shumë borxhe Rusisë. Sipas Janjiqit, Rusia ka investuar më pak në Rusi, por më mençur se evropianët.

Janjiqi, pos Von der Leyenit, ka kritikuar qasjen e politikanëve gjermanë në raport me Serbinë edhe nga më herët.

“Në veçanti, kjo pjesë e spektrit politik gjerman nën udhëheqjen e Merkelit, ishte shumë afër e lidhur me sektorin e energjisë me Rusinë. Nuk janë aq të pavarur nga Rusia. Por politika evropiane është e pavarur dhe mbështetëse dhe për këtë nuk jam befasuar. Dhe nuk jam befasuar as edhe se Vuçiqi publikisht ka thënë në prani të Von der Leyenit se gjatë darkës do të flasin për Kosovën dhe mihjen e litiumit në Serbi. Kjo është diçka që një politikan me dinjitet nuk duhet ta toleronte, por ajo e bëri. Ajo nuk reagoi dhe vetëm për të konkluduar, fatkeqësisht mendoj se dy vizitat e fundit nga Gjermania, Scholz dhe Von der Leyen, që s’ishte këtu si pjesë e Komisionit Evropian apo përfaqësuese e Bashkimit Evropian, por më shumë si pjesëtare e partisë gjermane, ishin tmerr”, ka thënë Janjiq.

Sipas tij, qëndrimet e politikanëve gjermanë për energjinë në Serbi kanë shkatërruar forcat politike në Serbi që duan bashkimin me Bashkimin Evropian.