65 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në trafik gjatë këtij viti. Derisa Policia e Kosovës thotë se është e përkushtuar në ofrimin e sigurisë rrugore, ekspertët vlerësojnë se mungesa e patrullimeve të tyre në trafik është ndër shkaqet që po çon deri tek aksidentet. Ekspertët kërkojnë që të shtohet kontrolli rrugor i Policisë ditën dhe natën
Vetëm në 7 muajt e këtij viti, si pasojë e aksidenteve rrugore kanë vdekur 65 persona. Që nga fillimi i vitit mesatarisht në ditë kanë ndodhur 31 aksidente nga të cilat deri tash lëndime kanë marrë mbi 8 mijë persona. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, krahasuar me vitin e kaluar, shifrat e aksidenteve, por edhe të viktimave gjatë vitit 2021 janë shqetësuese. Derisa më 2020 për shkak të aksidenteve rrugore kanë vdekur gati 7 persona në muaj, gjatë këtij viti shifrat tregojnë se për çdo muaj kanë vdekur mbi 9 persona.
“Totali i aksidenteve gjatë muajve janar-dhjetor të vitit të kaluar kanë qenë 13.847 me gjithsej 81 persona të vdekur. Ndërsa, totali i aksidenteve prej muajit janar deri në korrik të këtij viti është 11.418 me gjithsej 65 persona të vdekur”, thuhet në të dhënat e Policisë së Kosovës.
Duke marrë parasysh se ka kohë më shumë se 4 muaj që të përfundojë viti, këto statistika sipas ekspertëve të komunikacionit, flasin për një gjendje alarmante, e cila duhet ta marrë vëmendjen e institucioneve kompetente.
Eksperti Nol Dedaj thotë se shpejtësia, gjendja e automjetit dhe e rrugëve janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve.
“Duke pasur parasysh që në Kosovë qarkullojnë rreth 80 për qind të automjeteve mbi 17-vjeçare, që do të thotë se janë totalisht të amortizuara, atëherë sigurisht duke iu bashkangjitur edhe faktorit rrugë, edhe njeriu është njëri prej elementeve që shkakton aksidentin”, ka thënë ai.
E sipas Bekim Ahmetit, situata do të ndryshonte nëse do të vepronte ligji. Ai thotë se për t’i ulur këto shifra pashmangshëm duhet të vendosen radarë elektronikë nëpër rrugë.
“Njëra prej arsyeve pse ndodhin më shumë aksidentet te ne është edhe kultura në komunikacion. Duhet të kemi kulturë në komunikacion që të mos e presim gjithmonë syrin ndëshkues që të kulturohemi apo të vetëdijesohemi”, ka thënë Ahmeti.
Ata vlerësojnë se ka shumë rrugë kryesore nëpër Kosovë ku gati asnjëherë nuk patrullon Policia. Kësisoj, sipas tyre, kjo u jep komoditet shoferëve që ato rrugë t’i shfrytëzojnë për të vozitur lirshëm me shpejtësinë që ata dëshirojnë, e që mund të jetë fatale për ta. Dhe, sipas ekspertëve, ndër shkaqet që po çon deri tek aksidentet është edhe mungesa e patrullimeve.
Dedaj thotë se është shumë e rëndësishme që kapacitetet njerëzore të Policisë të vihen në kontroll rrugor, në orare të ndryshme, e sidomos gjatë muajve të verës kur shtohet edhe numri i automjeteve.
“Duhet të parashikohen edhe masat e jashtëzakonshme që duhet të merren gjatë këtyre tre muajve, në mënyrë që të shtohet numri i policëve, i patrullave të policisë, kontrolleve rutinë, do të thotë natën dhe ditën”, ka thënë Dedaj.
Pavarësisht këtyre kritikave, nga Policia e Kosovës kanë thënë se janë të përkushtuar në ofrimin e sigurisë rrugore.
“Një prej objektivave parësore për Policinë e Kosovës është edhe ofrimin i sigurisë rrugore për pjesëmarrësit në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, andaj sipas planifikimeve operacionale, parashihen aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik”, thuhet tutje në përgjigjen e Policisë.
Viktima e fundit në trafik është një 18-vjeçar, që u aksidentua mëngjesin e hershëm të 22 gushtit në magjistralen Ferizaj-Gjilan.