Ekonomisti Edison Jakurti ka thënë se duhet pasur kujdes në vërtetësinë e statistikave ekonomike që interpretohen nga pushteti dhe opozita.
Duke komentuar lëvdatat e Qeverisë për rritje ekonomike e rritje të të punësuarve e kritikat e opozitës për këto çështje, Jakurti ka thënë se politika interpreton statistikat në interesin e vet.
“Në të kaluarën është diskutuar mbi interpretimet, tash edhe mbi faktet. Burimet që citohen nga politika përdorin metodologji të ndryshme për qëllime të ndryshme. Agjencia e Statistikave (ASK) e ka anketën e tregut të punës që e bën me 1000 persona. Janë shifra të përhapura, ndërsa të dhënat e Administratës Tatimore (ATK) janë administratave, ato vijnë si regjistër. ASK-ja ka për detyrë të gjitha statistikat e tregut të punës, këtë nuk e ka ATK-ja. ASK-ja mbulon tregun formal dhe joformal, ATK-ja vetëm formal. Por edhe pse ASK-ja mbulon tregun formal dhe joformal, ka pas numër më të vogël të punëtorëve të regjistruar në ASK sesa në ATK që mbulon vetëm tregun formal”, ka thënë Jakurti në “Interaktiv” të KTV-së.
Jakurti ka thënë se qytetarët duhet marrë parasysh saktësinë dhe vërtetësinë e statistikave.
“Pushteti i bën interpretimet në frymë më optimiste, pozitive sepse duan të tregojnë që puna e tyre po ka sukses. Opozita ka me bo të kundërtën. Si hulumtues, duhet ta kemi më shumë parasysh saktësinë dhe të vërtetën. Një rrezik që po e shoh në Kosovë është keqinterpretimi i statistikave pasi ekziston frika e rrethit vicioz. Sepse kur fillon me besu në statistikat që i keqinterpreton është shumë e rrezikshme”, ka thënë ai.
Jakurti ka pasur kritika për ASK-në. Ka thënë se janë shumë të mangët në krahasim me vendet e zhvilluara.
“Ka statistika vitale që mungojnë. Është problematike edhe qasje në to. Ka shumë hapësirë për përmirësim”, ka shtuar ai.
Ekonomisti i njohur ka përmendur se si Kosova eksporton më së shumti bileta të aeroplanëve, e kjo sipas tij, duhet të ndryshojë.