Ekonomisti Edison Jakurti derisa është deklaruar lidhur me kërkesat e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës për rritje të shtesave në pagë, ka thënë se po mungon trajtimi i meritës së kërkesës nga ana e Qeverisë.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Jakurti ka thënë se duhet parë nëse kërkesa është e drejtë ose jo.
“Debati aktual në Kosovë është shumë larg një diskutimi racional në mes të kërkesave që mund të vijnë nga sindikatat dhe punëtorët. Ajo që po mungon së pari është trajtimi i meritës së kërkesës. Nëse kërkesa është e drejtë apo jo”, ka thënë ai.
Jakurti ka konsideruar se duhet të ketë rishpërndarje nga ekzekutivi.
“Në vitet e fundit nuk kemi ndryshime të mëdha strukturore në ekonominë tonë. Mendoj se duhet të ketë rishpërndarje nga ana e Qeverisë”, është shprehur ai.
Edhe
Jakurti: Vetëm një në pesë rroga në Kosovë mund të llogariten të mjaftueshme si pagë e jetesës
Ai ka kritikuar “mburrjen” e Qeverisë për performancën e mirë ekonomike, teksa sipas tij, ende merren masa në kuadër të një pakoje që quhet për ringjallje ekonomike.
“Në një anë kemi mburrje të madhe me performancën e mirë ekonomike, në anën tjetër masat janë në kuadër të një pakoje që quhet për ringjalljen ekonomike. Pse duhet të ringjallet diçka që po lulëzon”, ka theksuar ai.