Bejtush Isufi, jurist dhe aktivist politik ka thënë se gjashtë kushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të prezantuara të enjten në seancën e Kuvendit të Kososvës, janë një kthesë e kryeministrit në këtë drejtim.
Ai ka thënë se për të, gjashtë kushtet janë një ofertë e Kurtit në përgjigje të aleatëve ndërkombëtarë dhe opozitës në Kosovë.
“Prej sot mund të thuhet se duhet të nisim një dialog të hapur intensiv me shoqërinë civile, unë shoh një kthesë, një hapje, një mundësi. Për mua kjo është oferta e kryeministrit që u bëhet si përgjigje aleatëve ndërkombëtarë por edhe opozitës një pozicionim i qartë”, ka thënë Isufi të enjten në "Konfront" të KTV-së.
Ndërkaq, Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se gjashtë kushtet e vëna nga Kurti janë konstruktivitet në bisedime.
“Kjo është ajo që në kushte normale quhet konstruktivitet në bisedime, nuk mundesh me thënë vetëm po ose jo, por duhet të kërkohen zgjidhje. Kushtet përmbledhin elementet që janë bindje e thellë të kryeministrit që si aktivist politik dhe se opozitar i ka paraqitur gjithmonë: që unë jam i interesuar të gjejë zgjidhje”, ka thënë Kurteshi.
Të enjten në seancën e Kuvendit, kryeministri Kurti prezantoi gjashtë kushte nën të cilat u shpreh se do të pranonte formimin e Asociacionit. Kushtet që përmendi ishin që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën, të ndërrojë emrin, të mos jetë monoetnik, të mos ketë kompetenca ekzekutive, të drejtat e pakicave të kenë parimin e reciprocitetit, të shuhen strukturat ilegale të Serbisë, që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale e të zbatohet pas njohjes e që Serbia t’i tërheqë letrat dërguar shteteve mosnjohëse në BE për të kundërshtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.