Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti s’është në dijeni të vërejtjeve të BE-së për kushtet, shtohen thirrjet për kompromise

Gjashtë kushtet e vëna ditë më parë për themelimin e Asociacionit, sipas kryeministrit Albin Kurti, mbeten thelbësore. Ai ka thënë se nuk ka njohuri që në dy prej tyre Bashkimi Evropian ka shprehur vërejtje. E të mërkurën, nga SHBA-ja e Gjermania janë bërë thirrje të reja për zgjidhje kompromisi mes Kosovës e Serbisë

Kryeministri Albin Kurti nuk ka njohuri nëse ndonjë nga gjashtë kushtet e tij për themelimin e Asociacionit është refuzuar nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues në dialogun me Serbinë.

Shefi i ekzekutivit, pas ceremonisë për 53-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, të mërkurën, nguli këmbë se ato kushte janë thelbësore në mënyrë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën.

“Nuk jam në dijeni për ndonjë vërejtje të tillë për dy nga gjashtë kushtet. Mbase duhet ta takoj dhe të shoh se çfarë komunikimi ka pasur me vendet e BE-së. Edhe një herë po e them, ato gjashtë kushte, gjashtë parime, janë të tilla që mundësojnë që Asociacioni të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjin, që të mos jetë monoetnik, që të kemi reciprocitet të të drejtave të komuniteteve joshumicë”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Më herët, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pati deklaruar se në dy nga gjashtë kushtet e Kurtit ka shprehur vërejtje Bashkimi Evropian, por nuk zbuloi se për cilat bëhet fjalë.

E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kushtet i pati quajti përralla. Atij të mërkurën i është drejtuar me një letër sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, për ditën e shtetësisë së Serbisë.

Edhe Kurti “s’është në dijeni” për vërejtjet e BE-së që i përmendi Bislimi Arbëri Kurti “s’është në dijeni” për vërejtjet e BE-së që i përmendi Bislimi

Në letër, Blinkeni tha se Serbia dhe Kosova do të bëjnë kompromise të vështira.

“Mirëprita angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në vizitën e fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët e Serbisë dhe të Kosovës do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe për tërë rajonin – do të jenë të mëdha”, ka thënë Blinkeni.

Kurti nuk e ka komentuar thirrjen e Blinkenit për kompromise të vështira. Tha se nuk e ka lexuar letrën.

“Unë nuk e kam lexuar atë letër ende dhe natyrisht që nuk e kam shkruar as unë, prandaj besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë kryesorë në shtetndërtimin demokratik, në zhvillimin ekonomik dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Natyrisht, do të ketë edhe çështje të tjera në atë marrëveshje përveç njohjes reciproke, por ajo është në qendër”, ka thënë Kurti.

Zgjidhje kompromisi të mërkurën ka kërkuar edhe Christoph Heusgen, këshilltar i dikurshëm i ish-kancelares gjermane Angela Merkel dhe kryesues i Konferencës së Sigurisë së Munihut.

Edhe Dy nga gjashtë kushtet për themelimin e Asociacionit marrin vërejtje nga BE-ja LAJMET E MBRËMJES Dy nga gjashtë kushtet për themelimin e Asociacionit marrin vërejtje nga BE-ja

“Arritja e një kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë është imediate dhe e nevojshme. Është më urgjent se kurrë që të gjejmë një zgjidhje. Ne shpresojmë tani në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku kemi përfaqësues të Kosovës, ku kemi përfaqësues të Serbisë, ku kemi përfaqësues edhe të vendeve që po ndihmojnë për këtë konflikt që të bëjmë progres”, ka thënë Heusgen.

Konferenca e Sigurisë në Munih do të mbahet më 17 e 18 shkurt.